Komisioneri Europian për Zgjerimin, Johannes Hahn i bën thirrje Kosovës dhe Serbisë të çojnë përpara dialogun për normalizimin e marrëdhënieve. Në një intervistë për mediat malazeze, Hahn kërkon arritjen e një marrëveshjeje të paprecedentë që sjell njohje reciproke mes dy vendeve, por që garanton edhe stabilitetin e rajonit.

“Çdo marrëveshje duhet të jetë specifike, e rregullt e paprecedentë, të kontribuojë në stabilitetin e rajonit dhe rrugëtimin drejt Bashkimit Europian. Palët duhet të përcaktojnë kornizën për pajtimin mes tyre”.

Por duke folur para gazetarëve në Beograd, presidenti serb Aleksandër Vuçiç kritikoi Bashkimin Europian që nuk reagon për që ai e konsideron “heqjen e kufijve” mes Shqipërisë dhe Kosovës. Ndërsa thotë se nuk e ka të qartë çfarë ka mbetur për t’u diskutuar me Kosovën në bisedimet e Brukselit.

“Serbia është ende e gatshme për dialogun me Kosovën. Por kemi nevojë të dimë se për çfarë do flasim. Bashkimi Europian nuk po reagon për deklaratat e luftës që vijnë nga pala kosovare, po ashtu edhe për heqjen e kufirit mes Kosovës dhe Shqipërisë”.

Vuçiç tha gjithashtu se nuk ka forcë në botë që e detyron Serbinë të njohë pavarësinë e Kosovës. Për Beogradin është i papranueshëm kushti i vendosur nga presidenti Thaçi, i cili thotë se nuk do të ketë shkëmbim territoresh me Serbinë, por do të kërkojë vetëm bashkangjitjen e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit në territorin kosovar.

Tv Klan