Komisioneri për Zgjerim e BE-së, Olivér Várhelyi, ishte në Tiranë këtë të enjte, ku u takua me kryeministrin Edi Rama. Në fokus të diskutimeve mes eurokomisionerit dhe kreut të qeverisë shqiptare ishte Konferenca e Donatorëve që pritet të zhvillohet në Shkurt, por edhe procesi i integrimit europian.

Rama falenderoi komisionerin për angazhimin e tij pas tërmetit që goditi Shqipërinë në Nëntor të vitit 2019. Për sa i përket procesit të integrimit në BE, Rama tha se Shqipëria do të vazhdojë të kryejë punët me vendosmëri, sido që të jetë vendimi brenda BE-së.

Ndërkohë komisioneri Várhelyi deklaroi se për KE-në, Shqipëria vazhdon të konsiderohet një vend i gatshëm për të çelur negociatat. Megjithatë do të ketë një metodologji të re në lidhje me trajtimin e negociatave me BE-në.

Eurokomisioneri tha se po mundohet të bindë vendet anëtare për metodologjinë e re dhe shpreson që para samitit të Zagrebit të arrihet marrëveshja për çeljen e negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut me BE-në.  

“Për ne zgjerimi dhe Ballkani Perëndimor janë prioritet. Dëshirojmë që ta shtojmë praninë tonë këtu dhe dëshirojmë që të kemi më shumë ndikim, më shumë influencë. Ne dëshirojmë që të jemi partner edhe më i rëndësishëm me gjithë rajonin. Raporti i mëparshëm i KE-së për Shqipërinë vazhdon të jetë i vlefshëm. Ne vazhdojmë ta konsiderojmë Shqipërinë si një shtet që është i gatitë çelë negociatat. Ne do të punojmë fort që ky realitet të bëhet i tillë përpara samitit të Zagrebit. Komisioni do të ketë një sërë propozimesh të reja në tre shtylla kryesore. E para do të bëhet e qartë këtë muaj dhe do të jetë një metodologji e re në lidhje me trajtimin e negociatave për anëtarësimin në BE. Fakti që nuk u hapën negociatat ka pasur të bëjë me shqetësime nga ana e vendeve anëtare. Po punojmë me miqtë tanë këtu dhe vendet anëtare që të gjejmë një zgjidhje që të krijojë mundësi të reja për ne që të gjejmë një zgjidhje që  ecim përpara me procesin e zgjerimit. Me metodologjinë krijojmë një qasje të re. Qasja e do të bazohet në katër parime. Procesi duhet të jetë më i besueshëm, do duhet të jetë më politik dhe më i parashikueshëm. Për mua është përparësi që ta bëjmë edhe më dinamik. Shtylla e dytë për mua është që të kemi mundësinë që të fillojmë negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe RMV këtë vit përpara samitit të Zagrebit. Shtylla e tretë do të jetë samiti i Zagrebit ku shpresojmë që do të tregojmë një plan të zhvillimit ekonomik të të gjithë rajonit që të përshpejtohet ndërtimi i kësaj ekonomie që të jetë më efikase dhe vendet të jenë më pranë standardeve tona. Është vendimtare që të vazhdohen reformat, të cilat po kryhen në Shqipëri”, tha Várhelyi.

Eurokomisioneri bëri publik edhe lajmin se BE-ja do të japë 28 milionë euro për të shpërblyer punën e bërë deri më tani nga Shqipëria për çeljen e negociatave.

“Kam një lajm të mirë që dua ta ndaj me ju sot Kjo ka të bëjë me faktin që duke pasur parasysh performancën dhe punën e mirë të bërë deri më tash nga fondet para aderimit kam mundësinë që të japim 28 mln euro për shpërblim për punën e bërë, të cilat besojnë se do t’iu arrijnë së shpejti. Propozimin e kemi çuar te PE dhe gjithçka do të vazhdojë shumë shpejt”, tha ai.

Várhelyi përshëndeti edhe marrëveshjen mes opozitës dhe mazhorancës për Reformën Zgjedhore.

“Është një gur shumë i rëndësishëm kilometrik”, tha ai./tvklan.al