Varhelyi: Hap i rëndësishëm për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut

Drafti i kornizave të negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut i është dorëzuar Këshillit Europian nga Komisioni Europian.

Dokumenti përcakton udhëzimet dhe parimet për bisedimet e të dy vendeve per t’u pranuar në BE.

Komisioneri për Fqinjësi dhe Zgjerim Olivér Várhelyi e quajti këtë një hap tjetër të rëndësishëm në shtigjet e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Evropian. Ai theksoi se propozimet bazohen në metodologjinë e rishikuar të zgjerimit, për ta bërë procesin e pranimit më të besueshëm.

“Mezi pres diskutimet me shtetet anëtare dhe mbajtjen sa më shpejt të konferencave të para ndërqeveritare me të dy vendet. E ardhmja e tyre qëndron qartë në Bashkimin Evropian dhe unë jam i bindur se ata do të vazhdojnë të zbatojnë reformat në rrugën e tyre të BE, siç kanë bërë deri më tani”.

Kornizat negociuese vendosin udhëzimet dhe parimet për negociatat e pranimit me secilin vend kandidat.

Pasi shtetet anëtare të kenë miratuar kornizat e bisedimeve, kryesia e radhës e Këshillit të Bashkimit Evropian do të paraqesë Pozicionin e Përgjithshëm të BE-së të dakordësuar në konferencën e parë ndërqeveritare me secilin vend, duke shënuar fillimin zyrtar të negociatave të pranimit. Kornizat e bisedimeve do të bëhen publike në këtë fazë.

Tv Klan