Tanimë që Kina duket se po fiton betejën me koronavirusin, Europa po konsiderohet si epiqendra e pandemisë së virusit COVID-19.

Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë konfirmon se Europa është qendra e koronavirusit, teksa u bën thirrje shteteve që të ndërmarrin masat më agresive për të frenuar përhapjen.

“Europa tani është shndërruar në qendrën e pandemisë, me më shumë raste infeksioni dhe vdekje të raportuara se sa pjesa tjetër e botës, përveç Kinës. Më shumë raste po raportohen tani se sa u raportuan në Kinë në kulmin e epidemisë së saj”, thotë kreu i OBSH-së.

Italia është shteti më i prekur, teksa gjatë 24 orëve të fundit ka raportuar numrin më të lartë të viktimave, 250 vdekje brenda një dite. 1266 pacientë kanë humbur jetën në Itali.

Shumë shtete të tjera evropiane kanë konfirmuar se janë prekur nga koronavirusi. Spanja është vendi i dytë më i prekur pas Italisë, me 120 viktima. Kryeministri spanjoll deklaroi gjendjen e emergjencës për dy javë, duke hyrë në fuqi prej ditës së shtunë.

Shumë kufij mes shteteve në Europë janë mbyllur. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, 123 vende të botës janë prekur me virusin COVID-19. /tvklan.al