Kukësi dhe Teuta pësojnë thellë, Laçi humb ndaj Beer Sheva

Skuadrat shqiptare pjesëmarrëse në Europa League nuk mundën ta kalonin turin e dytë kualifikues. Teuta u thye thellë dhe shpejt përballë Granadës. Spanjollët shënuan tre gola në pjesën e parë të ndeshjes dhe me fillimin e së dytës vendosën rezultatin 4-0.

Po me rezultatin 4-0 u mund edhe Kukësi në “Air Albania”. Wolfsburg ishte skuadër shumë e fortë për ekipin e Skënder Gegës, që fitoi një 11 metërsh në pjesën e parë, por Rroca nuk u tregua i saktë.

Goli i 4 për Wolfsburg u shënua nga Admir Mehmedi, futbollist zviceran me origjinë nga Gostivari.

Paraqitjen më të mirë e bëri Laçi ndaj Hapoel Beer Sheva. Kurbinasit shënuan të parët në Elbasan Arena me Nwabueze. Ndeshja shkoi me avantazhin e laçianëve deri në minutën e 86, kur Deliu mori të dytin e verdhë.

Ekuilibrat në fushë ndryshuan dhe izraelitët përfituan duke shënuar dy herë deri në minutën e 4 shtesë. Ekipet shqiptare përfundojnë kështu aventurën europiane për këtë sezon. Tashmë përgatitje për kampionatin që nuk dihet ende kur do të nisë.

Tv Klan