Milan dhe Inter zbresin në fushë me 22 Prill në orën 20:45

E hëna e 22 Prillit pritet të jetë festë në Milano. Në stadiumin “San Siro” do të luhet derbi i Madoninës, një 90 minutësh që sipas gjasave do të shpallte kampion të Italisë, Interin për herë të 20 në histori.

Shtyrja e datës së sfidës është konfirmuar nga Liga e Serie A, pas ndërhyrjes së klubit të Milanit, që kishte si pretekst angazhimin e tyre në Europa League.

Përballjen me Romën, kuqezinjtë do ta zhvillonin të enjten dhe ngjeshja e sfidave edhe me kampionatin detyroi Ligën që ta spostonte për një tjetër datë, duke zgjedhur të hënën e 22 Prillit, duke nisur nga ora 20:45. Inter numëron momentalisht 14 pikë më shumë se Milani ndjekës kur deri në fund kanë mbetur edhe 9 javë.

Me këtë ritëm, dueli mes tyre që korrespondon me javën e 33-të të kampionatit mund të shpall edhe matematikisht kampion Interin. Përballja e fazës së parë përfundoi me shifrat e thella 5-1 në favor të Interit, që këtë sezon synon edhe rekordin e pikëve të grumbulluar në elitën e futbollit italian.

Klan News