Kreu i OBSH-së: Fundi i pandemisë, ende larg

Europa Lindore po shndërrohet në një vatër të re të nxehtë të pandemisë. Përllogaritjet e agjencisë Reuters tregojnë rajoni ku bëjnë pjesë vendet e Lindjes së Bashkimit Europian, Rusia, Ukraina e Bjellorusia kanë ditët e fundit, rritjen më të lartë në botë të infektimeve, mesatarisht 83 700 raste të reja ditore. Në këtë rajon jetojnë 4% e popullsisë së botës, por numërohen 20% të infektimeve të reja në shkallë globale.

Veç Rusisë ku shifrat e pandemisë vijojnë të thyejnë rekorde, vende si Polonia, Çekia e Hungaria pësuan rritje me deri 90% të infektimeve të reja. Mes 5 vendeve me numrin më të lartë të vdekjeve në botë, 3 janë nga Europa Lindore, si Rusia, Ukraina dhe Rumania. Ekspertët thonë se shkak i kësaj vale të re është niveli më i ulët i vaksinimit në këto vende krahasuar me pjesën tjetër të kontinentit.

Megjithatë tendencë për t’u rritur, infektimet kanë edhe në vendet e Europës Perëndimore, si Francë, Itali, Gjermani e Spanjë, pavarësisht kuotave në rreth 70% të vaksinimit të popullsisë. Ekspertët thonë se përgjegjësi, deri diku ka heqja e masave kufizuese falë vaksinimit masiv, që megjithatë ruan shifra të ulëta vdekshmërie. Ndërsa kreu i OBSH-së, këtë rritje e përkthen në paralajmërim se fundi i pandemisë është shumë më larg nga ç’pritej. 

Tv Klan