Një delegacion i Parlamentit të BE-së ka vizituar Tajvanin në një kohë kur tensionet mes ishullit dhe Kinës janë në rritje.

Raportohet se ky është delegacioni i parë zyrtar i parlamentit evropian në Taipei.

Ne erdhëm këtu me një mesazh shumë të thjeshtë, shumë të qartë ju nuk jeni vetëm“, tha   eurodeputeti francez, Raphael Glucksmann.

Demokracia e Tajvanit është “një pasuri” që duhet mbrojtur, tha Glucksmann, duke premtuar se do të mbështesë rajonin në mosmarrëveshjet me Pekinin.

Tajvani, të cilin Kina e pretendon si territorin e saj dhe nuk e ka përjashtuar mundësinë e marrjes me forcë, nuk ka lidhje zyrtare diplomatike me asnjë komb evropian përveç qytetit të vogël të Vatikanit. Por ky vend është i prirur për të thelluar marrëdhëniet me anëtarët e Bashkimit Europian.

Vizita e ligjvënësve të BE-së vjen pasi Ministri i Jashtëm i Tajvanit Joseph Wu bëri një udhëtim të rrallë në Europë muajin e kaluar që zemëroi Pekinin, i cili paralajmëroi vendet pritëse se kjo do të minonte raportet Kinë-BE.

Nga frika e hakmarrjes nga Pekini, shumica e vendeve nuk janë të gatshme të presin ministra të lartë tajvanezë ose të dërgojnë zyrtarë të nivelit të lartë në Tajvan.

Vitet e fundit Pekini ka intensifikuar përpjekjet për ta izoluar Tajvanin në skenën ndërkombëtare.

Aeroplanët ushtarakë kinezë disa herë gjatë muajve të fundit kanë hyrë në zonën mbrojtëse ajrore të këtij ishulli çka ka ngritur shqetësimet në komunitetitn ndërkombëtar.

Klan News