Italia, Holanda, Austria dhe Gjermania do të ndezin termocentralet për të shmangur një krizë energjetike

Blerësit më të mëdhenj të gazit rus të Evropës u përpoqën për të gjetur furnizime alternative të karburantit.

Një pjesë e madhe e tyre kanë deklaruar se do të nisin që të përdorin qymyr për të shmangur një krizë të mundshme energjitike gjatë periudhës së dimrit. Gjermania, Italia, Austria dhe Holanda kanë sinjalizuar se termocentralet me qymyr do të fillojnë së shpejti nga puna pas rritjes së çmimeve të gazit për shkak të luftës në Ukrainë. Kjo gjë po shton gjithnjë e më shumë sfidën me të cilën përballen politikëbërësit që po luftojnë me inflacionin.

Qeveria holandeze do të heqë kufirin e prodhimit në termocentralet e energjisë me qymyr dhe do të aktivizojë fazën e parë të një plani për krizën e energjisë. Danimarka gjithashtu ka nisur hapin e parë të një plani emergjent të gazit për shkak të pasigurisë ruse të furnizimit.

Italia iu afrua shpalljes së gjendjes së alarmit për energjinë pasi kompania e naftës Eni bëri të ditur se do të merrte nga Gazprom vetëm një pjesë të furnizimeve. Shoqatat gjermane iu përgjigjën pozitivisht planeve të shpallura nga Ministria e Ekonomisë për të kompensuar reduktimin e furnizimit me gaz nga Rusia.

Gjermania deklaroi se do të duhet të përdorë më shumë qymyr për prodhimin e energjisë elektrike dhe të rrisë sasinë e gazit.  Sipas skemës, klientët industrialë që mund të bëjnë pa gaz do të ulin konsumin e tyre në këmbim të kompensimit financiar. Megjithatë, për të reduktuar përdorimin e gazit për energji elektrike, Gjermania duhet të ndezë më shumë termocentrale me qymyr, gjë që funksionon kundër planeve të qeverisë së koalicionit për ta bërë prodhimin gjerman të energjisë pa qymyr deri në vitin 2030.

Rusia përsëriti kritikat e saj të mëparshme se këto janë vetëm gabime që Evropa po bën  pasi vendosi sanksione në përgjigje të pushtimit të Ukrainës nga Moska. Flukset e gazit rus drejt Gjermanisë përmes gazsjellësit Nord Stream 1, rruga kryesore që furnizon ekonominë më të madhe të Evropës, vazhdonin të qarkullonin me rreth 40% të kapacitetit të hënën, edhe pse ato ishin rritur nga fillimi i javës së kaluar. Ukraina tha se tubacionet e saj mund të ndihmojnë për të mbushur çdo boshllëk në furnizim nëpërmjet Nord Stream 1.

Klan News