Qetësojnë ekspertët: Nuk ka gjasa që sëmundja të shkaktojë një pandemi

Në një kohë mjaft të shkurtër lija e majmunit po përhapet me shpejtësi duke e vendosur Europën në alarm.

Zyrtarët gjermanë e përshkruajnë shpërthimin e rasteve si më të madhin ndonjëherë që ka përfshirë kontinentin. Rastet janë konfirmuar tanimë në vende si Mbretëria e Bashkuar, Spanjë, Portugali, Belgjikë, Francë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Australi.

E identifikuar fillimisht te majmunët, sëmundja zakonisht përhapet përmes kontaktit të ngushtë. Fakti që sëmundja përhapet rrallë jashtë Afrikës, ka shkaktuar shqetësim tek zyrtarët shëndetësorë.

Megjithatë, ekspertët nuk presin që shpërthimi të shkaktojë një pandemi si ajo e Covid-19, duke qenë se virusi nuk përhapet aq lehtë sa SARS-COV-2. Lija e majmunëve është zakonisht një sëmundje e lehtë virale, e karakterizuar nga simptoma të etheve si dhe një skuqje në lëkurë.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë ende nuk ka një vaksinë specifike për linë e majmunëve, por vaksinat e përdorura deri më tani për të zhdukur linë kanë rezultuar 85% efektive kundër sëmundjes.

Që nga viti 1970, rastet e lisë së majmunëve janë raportuar në 11 vende afrikane. Në vitin 2017 Nigeria  u përball me një shpërthim të madh të sëmundjes.

Klan News