Europa në ethet e merkatos


Europa në ethet e merkatos

23:27 06/09/2020

Skuadrat e mëdha në “sulm” për lojtarët që “mungojnë

Merkato është kryefjala e futbollit! Pretendimet për të arritur sukses në sezonin e ri kanë vendosur në lëvizje skuadrat, shumica e të cilave kanë konfirmuar disa nga goditjet e tyre, por ka edhe nga ato që tashmë kanë gjetur akordin personal me lojtarin dhe mungon vetëm zyrtarizimi.

Chelsea është skuadra më aktive në këtë sezon, me “blutë” që tanimë janë hedhur në sulm për një portier të ri. Londinezëve iu pëlqen së tepërmi gardiani i Rennes, Edouard Mendy, i cili do të konkurrojë me Kepa Arrizabalaga për fanellën numër 1. Nëse kjo pistë bie, alternativa të tjera janë Andre Onana i Ajaxit, Nick Pope i Burnley dhe Roman Burki i Borussia Dortmund.

Nuk ishte një nga sezonet më të mira, megjithatë Antoine Griezmann është gjithnjë aty, në qendër të vëmendjes. Sulmuesi pritet të largohet nga “Camp Nou” dhe interes për të ka në Premier League. Manchester United, Liverpool dhe Arsenal janë gati t’i plotësojnë kushtet për francezin që në orët e ardhshme mund të vendos për fatet e karrierës së tij.

Por te Barcelona nuk mendojnë vetëm për merkaton në dalje. Katalanasit janë futur në garë për Wijnaldum të Liverpool. Pengesa e vetme është shifra që kërkojnë anglezët, 15 mln euro, me spanjollët që ofrojnë vetëm 10. Ndërkohë, pas fitimit të Champions League me Bayern Munich, Coutinho është rikthyer te Barcelona, me brazilianin që parashikohet të jetë pjesë e planeve të Ronald Koeman në sezonin e ri.

Javë intensive parashikohet në Seria A italiane dhe më konkretisht te Interi. Sipas “Corriere dello Sport”, zikaltërit do të zyrtarizojnë marrëveshjen me Kolarov nga Roma, Arturo Vidal nga Barcelona dhe Matteo Darmian nga Parma. Nga ana tjetër, juventus është në kërkim të një sulmuesi të ri.

Me Higuain që nuk bën pjesë në planet e teknikut Andrea Pirlo, kampionët e Italisë kanë vënë në listën e dëshirave Arturo Morata dhe Luis Suarez. Por duket se asnjëri prej lojtarëve nuk do të braktis Spanjën të paktën para këtij sezoni dhe për këtë bardhezinjtë kanë një plan B, Edinson Cavanin. Madje mediat raportojnë se mes tyre ka edhe një akord personal.

Klan Plus




Të ngjashme