Infektimet janë nxitur nga nënvarianti BA.2 si dhe heqja e menjëhershme e masave

Mbretëria e Bashkuar ka raportuar mbi 587 mijë raste të reja me Covid-19 në shtatë ditët e fundit. Megjithatë, numri i vdekjeve brenda 28 ditëve u rrit me 998, 27% më shumë nga një javë më parë, duke e çuar numrin e humbjeve të jetëve në 164,671.

Sipas statistikave të publikuara nga Agjencia Federale Gjermane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve “Instituti Robert Koch”, edhe Gjermania ka shënuar një rritje të infektimeve gjatë javës së fundit.

Të dhënat treguan gjithashtu se numri mesatar i rasteve të reja të konfirmuara për 100,000 njerëz në Gjermani në shtatë ditët e fundit ishte 1,700.6. Sipas të dhënave të publikuara nga Departamenti i Shëndetit Publik francez numri i rasteve të konfirmuara me Covid-19 në Francë ka arritur në 25 milionë, një rritje prej 29,455 rastesh në 24 orë, 21% më shumë se e njëjta periudhë e javës së kaluar. Rritje të rasteve ka shënuar edhe Italia e nxitur nga nënvarianti i Omicron BA.2.

BA.2 është tani mbizotërues në mbarë botën, duke shkaktuar rritje të rasteve në shumë vende në Europë dhe Azi dhe duke ngritur shqetësimin mbi potencialin për një valë të re në Shtetet e Bashkuara. BA.2 tani përfaqëson gati 86% të të gjitha rasteve të renditura, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Është edhe më i transmetueshëm se varianti Omicron, BA.1 dhe BA.1.1, megjithatë provat e deritanishme sugjerojnë se nuk ka më shumë gjasa të shkaktojë sëmundje të rëndë.

Ashtu si me variantet e tjera në familjen Omicron, vaksinat janë më pak efektive kundër BA.2 sesa kundër varianteve të mëparshme si Alpha dhe mbrojtja bie me kalimin e kohës. Megjithatë, sipas të dhënave të Agjencisë së Sigurisë Shëndetësore në Mbretërinë e Bashkuar, mbrojtja rikthehet me një dozë përforcuese, veçanërisht për të parandaluar  shtrimin në spital dhe vdekjet.

Shkencëtarët thonë se një shpjegim i mundshëm për rritjet e infektimeve nga BA.2 mund të jetë se në të njëjtën kohë shumë vende hoqën njëkohësisht kufizimet dhe maskat.

Klan News