Çekia rikthen karantinën, rekord infektimesh në Holandë

Vala e dytë e infektimeve nëpër Europë duket e qëndrueshme këtë të martë me shifra ditore shumë herë më të ulta se rekordet e thyera në fundjavë. Megjithatë qeveritë e shumë vendeve europiane shpallën ashpërsimin e masave për të siguruar uljen e infektimeve ditore.

Pasi u rendit e para në kontinent për shifrat e infektimeve me 493 raste për 100 mijë banorë, Çekia riktheu karantinën kombëtare. Qeveria e Andrej Babishit shpalosi planin për mbylljen graduale brenda kësaj jave të bareve, restoranteve e ndalimit të alkolit në ambiente publike.

Kyçi i vihet edhe shkollave, ndërsa maskat janë të detyrueshme në ambientet e jashtme ku është e pamundur ruajtja e distancës. Të premten nisi mbyllja e institucioneve kulturore publike dhe atyre sportive, si pishinat palestrat etj. Masat do të qëndrojnë në fuqi të paktën deri më 2 nëntor.

Qeveria italiane shpalosi planin që hyn në fuqi të mërkurën që mbyll shërbimin në restorante në orën 21 dhe ambientet e tyre pas mesnate. Janë ndaluar të gjitha festat në ambiente të mbyllura e të hapura, ndërsa në ceremoni të ndryshme nuk lejohen më shumë se 30 persona. Në kinema e koncerte lejohen deri nga 200 persona në ambjente të mbyllura deri në 1 mijë në ambjente të hapura.

Holanda shënoi këtë martë rekordin e infektimeve ditore me mbi 5 800 raste të reja, shifra më e lartë e regjistruar që prej nisjes së pandemisë. Shtrimet në spitale janë pranë kufijve maksimalë të kapaciteteve. Infektimet janë të larta edhe në Britaninë e Madhe me afro 14 mijë raste të reja.

Tv Klan