Në Itali e Francë mijëra të infektuar gjatë 24 orëve të fundit

Koronavirusi vijon që të shënojë rekorde në një pjesë të madhe të vendeve europiane. Franca dhe Italia janë bërë sërish vatra të shpërthimit të virusit. Në Francë numri i të infektuarve shënoi një rekord që nuk ishte parë as në pranverë, ku në vetëm 24 orë u regjistruan 45 mijë raste duke kapur totalin e mbi 1 milion të infektuarve.

Qeveria ka vendosur ndalimqarkullimin nga ora 21:00-06:00 të mëngjesit në Paris dhe disa qytete të tjera. Nga kufizimet janë prekur më shumë se dy e treta e francezëve, pra rreth 46 milionë persona. Presidenti francez Emmanuel Macron ka deklaruar se do të luftojë me koronavirusin të paktën deri në mes të vitit të ardhshëm.

Shifra të larta ka shënuar edhe Italia ku gjatë një 24 orëshi janë shënuar mbi 19 mijë raste te reja. Italia ka vendosur gjithashtu të mbyllë të gjitha aktivitetet që konsiderohen “jo thelbësore” siç janë pishinat apo palestrat e të njëjtin fat mund të kenë edhe qendrat tregtare.

Disa rajone të Italisë, ku përfshihen qytetet më të mëdha të cilat kanë dhe numër të lartë të infektuarish, ka nisur shtet-rrethimi. Me masat e reja prej orës 23:00 deri në 05:00 të mëngjesit qytetarët nuk lejohet të dalin nga shtëpitë. Po ashtu rastet po rriten me ritme të shpejta edhe në Holandë, Çeki, Gjermani dhe Belgjikë. Kancelarja Merkel i ka bërë thirrje njerëzve që të shmangin udhëtimet.

Por pavarësisht se është në mesin e shteteve evropiane me numrin më të lartë të personave të infektuar, numri total i qytetarëve që nuk e kanë fituar betejën me virusin në Gjermani deri më tani është  i ulët me 10.111 viktima. Për shkak të rritjes kaq të madhe të infektimeve, qeveria holandeze ka vendosur një izolim të pjesshëm. Lokalet, kafenetë dhe restorantet janë mbyllur. Nga ora 20:00 metrotë dhe autobusët përdoren vetëm në raste emergjence.

Situata është përkeqësuar ndjeshëm edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës si dhe në Indi ku të dyja këto vende mbajnë rekorde të prekurish dhe të vdekjeve. Aktualisht numri i të infektuarve në rang global ka shkuar në mbi 42.9 milionë nga ku mbi 1 milion njerëz kanë humbur jetën.

Klan Plus