Taktika e shkopit dhe karotës po reduktohet tani vetëm te shkopi. Të lodhur nga kokëfortësia e qytetarëve për t’u vaksinuar vullnetarisht kundër Covid-19, qeveritë europiane po mendojnë të gjobisin të pabindurit. Dy qeveritë e para që kanë gati projektligjet janë ato të Greqisë dhe Austrisë. Në Greqi, të gjithë qytetarët mbi 60 vjeç që nuk do të vaksinohen deri më 16 janar do të duhet të paguajnë çdo muaj 100 euro gjobë deri në çastin e vaksinimit.

Kjo është një prej masave drastike të shpallura nga kryeministri Qirjakos Micotaqis, sipas të cilit masa synon të nxisë vaksinimin e popullsisë sidomos tani që po qarkullon edhe varianti i ri i koronavirusit, Omikron.

Por 100 eurot gjobë të Greqisë duken si një pikë në oqean në krahasim me masën ndëshkuese të Austrisë. Në këtë vend gjoba arrin në 7200 euro. Ky është vendi i parë në Europë që e ka bërë vaksinimin një detyrim ligjor. Afati për t’i shpëtuar gjobës është 1 shkurti.

Sipas projektligjit, qeveria parashikon të gjobisë fillimisht me 3600 euro ata që nuk respektojnë afatin dhe nëse këmbëngulet për të mos u vaksinuar, vlera e gjobës do të dyfishohet. Autoritetet e shohin vaksinimin e detyrueshëm si të vetme zgjidhje të mbetur për të arritur nivelin 70% të vaksinimit të përgjithshëm të popullsisë.

Në Gjermani, mbështetësit e lëvizjes Novax, pra ata që kundërshtojnë vaksinimin, morën një goditje në rëndë kur Gjykata Kushtetuese e vendit e konsideroi konform ligjit, kufizimin e lëvizjes dhe distancën sociale që u zbatua si masë gjatë izolimit të vitit 2020, kur përhapja e Covdid-19 ishte në fazat e para.

Klan News