UEFA gati të heq 3 qytete, Britania ofron siguri

Kur kanë mbetur më pak se 100 ditë nga fillimi i Kampionatit Europian të planifikuar për në verën e këtij viti, UEFA ka nisur të mendojë seriozisht për qytetet pritëse të turneut. Sipas asaj që raportojnë mediat e ndryshme, institucioni më i rëndësishëm i futbollit Europian po mendon që të përjashtojë nga lista 3 qytete nga 12 që janë zgjedhur praktikisht.

Bilbao, Dublini dhe Glasgow janë në rrezik për tu hequr nga mungesa e garancive për numrin e tifozëve që mund të lejojnë në stadiumet e tyre. Organi qeverisës dëshiron që stadiumet të pranojnë të paktën gjysmën e vendeve në stadiume. Në këto kushte, UEFA është gati të zvogëlojë listën e qyteteve që nuk përmbush këtë pikë.

Britania ka pasur shpërthimin më vdekjeprurës të Evropës, por programi i saj i vaksinimit është më i shpejti në Evropë gjë që ka rritur besimin e UEFA-s në organizimin e shtatë ndeshjeve në stadiumin Wembley, përfshirë gjysmëfinalet dhe finalet në Korrik.

Qeveria britanike ka plane që deri në 10,000 tifozë të kthehen në stadiume nga Maji. Por kjo vlen vetëm për Angli ndërsa autoritetet skoceze miratojnë një rrugë më të kujdesshme dhe nuk ofrojnë siguri në këtë aspekt.

Një njoftim zyrtar pritet të merret gjatë muajit Prill, ku UEFA do të përcaktojë edhe qytetet pritëse të turneut europian.

Klan News