Federata Shqiptare e Futbollit, ka nxjerrë në shitje biletat për ndeshjet e Kampionatit Europian U-17, që do të zhvillohet në Shqipëri.

Katër stadiumet e përzgjedhura për këtë kompeticion madhor janë: “Arena Kombëtare”, “Elbasan Arena”, “Niko Dovana” dhe “Egnatia Arena”.

Në “Arenën Kombëtare” do të luhen gjithsej pesë ndeshje, përfshirë sfidën hapëse, dy ndeshje të fazës së grupeve, një gjysmëfinale dhe finalja e madhe. Në “Elbasan Arena” do të zhvillohen katër takime, ku përfshihen tre ndeshje të fazës së grupeve dhe një gjysmëfinale. Ndërkohë, në stadiumet “Egnatia Arena” dhe “Niko Dovana” do të luhen nga tre ndeshje të fazës së grupeve.

Stadiumet janë të ndara në sektorët: Kategoria 2, Kategoria 1 dhe VIP. Çmimet e biletave për ndeshjet e fazës së grupeve dhe gjysmëfinalet ndahen sipas kategorive.

Te Kategoria 2, bileta kushton 400 Lekë, ndërsa te Kategoria 1 kushton 800 Lekë. Te pjesa VIP, bileta kushton 3,500 Lekë.

Për finalen që do të zhvillohet në “Arenën Kombëtare”, çmimet janë: Kategoria 2 kushton 500 Lekë, ndërsa Kategoria 1 kushton 1,000 lekë. Te tribuna VIP, bileta kushton 5,000 Lekë.

FSHF nënvizon se biletat do të shiten vetëm online dhe çdo faqe tjetër përveç kompanisë T-Ticket, është e paautorizuar për të shitur bileta. /tvklan.al