Kreu i grupit parlamentar të socialistëve, Taulant Balla mohoi çdo lidhje mes tij dhe grupit kriminal për të cilin Lulzim Basha e akuzoi si garanti i pagesës së 3.4 milionë eurove që u sekuestruan në dy makinat “Toyota Yaris” në Portin e Durrësit.

“Taulant Balla nuk ka asnjë lloj lidhje me ndonjërin prej këtyre, ju garantoj me përgjegjësi penale, jo vetëm me mandatin e deputetit. Jam gati të më bëhet gjyqi mu në sheshin “Skënderbej” nëse do të ketë qoftë dhe një lidhje të vogël me të.”

Kreun e demokratëve e paralajmëroi për surprizën që tha se i ka rezervuar të enjten në seancë plenare. Faktet e provat që do paraqesë sipas numrit dy te socialistëve do të provojnë lidhjet e Bashës me personat e arrestuar.

“Kam nisur të bëj dhe unë disa verifikime dhe i them Bashës se në fund të kësaj i ka ca lidhje me personat e përfshirë në këtë çështje. Nuk i them sot por do i ruaj. Ju garantoj se i kam gjetur disa lidhje me këtë grup kriminal. Pres sot të nxjerrë lidhjet Lulzim Basha thotë që kam unë me këta, ndërsa unë do ia ruaj për të enjten, në seancë plenare disa surpriza.”

Lulzim Bashën e akuzoi për dekonspirim të operacionit, kur foli për rrjedhje informacioni nga agjentë të SHISH-it, duke hedhur poshtë çdo mundësi informimi nga ana e shërbimeve të huaja.

“Ka ende ndonjë agjent në SHISH, që transferon SMS informacioni konfidencialë dhe që do formulohet me detaje kallëzimi penal. Një institucion ligjzbatues ka pasur rrjedhje informacioni tek një person i papërgjegjshëm që quhet Lulzim Xhelal Basha. Ky person i papërgjegjshëm në një moment vuri në rrezik vijimin normal të një aksioni të policisë.”

Për akuzën e bërë nga Lulzim Basha, kreu i Grupit Parlamentar të socialistëve tha se do të bëjë një kallëzim penal.

Tv Klan