Në emisionin “Rudina” në Tv Klan, ka qenë e ftuar moderatorja, modelja dhe aktorja simpatike Eva Murati. Ajo ka ardhur në studio për të folur për një moment shumë të rëndësishëm në jetën e saj. Së fundmi Eva ka qenë e ftuara speciale në emisionin më të ndjekur të sportit në Itali “Tiki Taka” që drejtohet nga Piero Chiambretti. Aty kanë qenë të ftuar shumë personalitete të njohura të futbollit botëror si dhe djali i legjendës së futbollit Diego Maradonna-Diego Maradonna Junior.

Moderatorja ka treguar eksperiencen e bukur në Itali dhe tregon se është shumë e lumtur që pasi përfundoi emisioni në itali, ajo ka marrë shumë komplimenta për njohuritë që kishte për futbollin.

Eva Murati: Mua mu bë shumë qejfi që dalja ime e parë  në Itali ka qenë pikërisht tek Italia 1, pikërisht tek kanali që unë kam parë çdo film të animuar kur kam qenë e vogël.

Rudina Magjistari: Si ndodhi, si erdhi ftesa, si u gjende aty?

Eva Murati: Kishim disa kohë në fakt që komunikonim, që unë të isha e pranishme në “Tiki Taka”. Në fillim mu duk e pabesueshme, ndoshta diçka e çuditshme, por pastaj e kuptova që ishte diçka serioze, italianët marrin shpesh herë figura të tilla dhe ata e kishin me shumë qejf, aq më tepër që unë jam prezantuese e një emisioni shumë të rëndësishëm. Vërtet më kanë mirëpritur shumë.

Rudina Magjistari: Aty u futët menjëherë në debat, në temën e ditës, si u ndjeve aty mes kolegësh?

Eva Murati: Kur u takuam aty sigurisht para se të niste programi, në fillim po më shihnin sikur të isha një modele sepse ato vajzat zakonisht në “Tiki Taka”, i vendosin në një ambient tjetër, jo në panelin e debatit, ndërkohë që kur nisi debati, filluan të më shihnin me një sy tjetër dhe me të vërtetë u ndjeva shumë e lumtur për të gjithë komplimentat që kam marrë për njohuritë e mia për futbollin, qoftë dhe për italishten që e flisja mirë dhe për çdo gjë tjetër.

Rudina Magjistari: Ti dhe mendimet e tua për ndeshjet apo jo? Nga eksperienca shqiptare, çfarë ndave ti atje?

Eva Murati: Nëse mund ta them një farë ndryshimi, debati ishte shumë i zjarrtë, ishte shumë e vështirë të futeshe në debat. E ndjeva një dhunë të madhe, shumë i flaktë debati. Ne jemi mësuar ta tolerojmë deri diku njëri-tjetrin, kurse aty kishte kakofoni.

Rudina Magjistari: Po prisja të thoje të kundërtën dhe ti thua që ndërkohë italianët ishin më keq sesa ne?

Eva Murati: Paneli ishte shumë i zjarrtë dhe ishte shumë e vështirë që ta shihja veten, sigurisht mund të kisha ndërhyrë në disa momente të tjera pasi janë tema të cilat unë i komunikoj çdo ditë, qoftë edhe në punë, por ishte shumë e vështirë të ndërhyje në debat, megjithatë e ndjeva veten mirë dhe të lumtur. /tvklan.al