Ishulli i Tenerifes në Spanjë, i njohur gjerësisht si “parajsa e turistëve” është përballur me stuhi dallgësh të mëdha që kanë shkatërruar edhe ballkonet e disa hoteleve në bregdet.

Sipas mediave lokale të cituara nga “Sky”, 39 rezidentë dhe turistë janë evakuuar nga shtëpitë dhe hotelet në bregdet. Fatmirësisht deri më tani nuk janë raportuar të plagosur, por në pamjet e publikuara në rrjetet sociale nga Nelson Acosta shihen dallgët gjigante që përplasen për hotelet shumëkatëshe, duke u shkatërruar edhe ballkonet.

 

Sipas “Huffpost Spain”, dritaret e një hoteli u thyen në kohën që brenda po drekonin shumë turistë. Një prej turistëve tha në Twitter se ishin të ndërgjegjshëm me rrezikun që përballeshin teksa filmonin dhe fotografonin, por dallgët ishin “spektakolare dhe të bukura.”

Dallgët që arrinin deri në lartësinë e 6 metrave kanë shkaktuar dëme të shumta në ishullin e famshëm, megjithëse ende nuk është bërë një bilanc zyrtar nga autoritetet./tvklan.al