SHBA fillon tërheqjen e trupave nga Aeroporti i Kabulit

Trupat amerikane kanë filluar tërheqjen e tyre nga aeroporti i Kabulit, tha Pentagoni të shtunën, ndërsa përpjekjet e evakuimit nga kryeqyteti afgan kanë hyrë në fazën përfundimtare. Presidenti JoeBiden dërgoi 5,800 trupa amerikane që të siguronin Aeroportin Ndërkombëtar Hamid Karzai, ku operacioni evakuimit ajror do të përfundojë të martën. Ndërsa një zyrtar amerikan i tha agjencisë Reuters se në aeroport kishin mbetur më pak se 4,000 trupa, zëdhënësi i Pentagonit John Kirby u konfirmoi gazetarëve se tërheqja kishte filluar.

Mori fund ndërkaq edhe misioni i trupave britanike. Ambasadori britanik në Afganistan, Laurie Bristow, tha se trupat e vendit të tij evakuuan pothuajse 15 mijë qytetarë afganë dhe britanikë gjatë dy javëve të fundit. Forcat e Armatosura të Britanisë tani po përgatiten të largohen dhe do të marrin me vete një numër të vogël shtetasish afganë në fluturimet e mbetura këtë fundjavë.

Ndërkohë Franca po zhvillon diskutime me talebanët në lidhje me situatën humanitare dhe evakuimin e mundshëm të njerëzve në rrezik. Presidenti Emmanuel Macron tha të shtunën në një konferencë shtypi në Bagdad, se Franca po punonte gjithashtu me Katarin për t’u hapur rrugë evakuimeve edhe pas 31 Gushtit.

Macron tha gjithashtu se Franca do të mbajë trupat në Irak si pjesë e operacioneve antiterrorizëm për aq kohë sa do t’i duhet qeverisë irakiane, pavarësisht nëse Shtetet e Bashkuara vendosin apo jo të tërhiqen.

Klan News