SHBA dhe aleatet mendojnë për situatën pas 31 Gushtit ShBA-ja dhe aleatët shpresojnë që talebanët t’i përmbahen zotimit për të lejuar kalimin e sigurtë të të huajve dhe të afganëve edhe pas 31 Gushtit. Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken, shtoi se Uashingtoni dhe aleatët e tij e kanë përgjegjësi t’i detyrojnë talebanët t’i përmbahen këtij zotimi.

Sekretari shtoi se operacioni i evakuimit nga aeroporti i Kabulit është drejt mbylljes, pavarësisht se aty mbeten ende mijëra vetë. Mes tyre edhe rreth 1000 shtetas amerikanë me të cilët diplomatët janë në kontakt. 

Një problem i dalët ditët e fundit është alarmi i agjencive të zbulimit se ISIS mund të sulmojë aeroportin e Kabulit, i cili mbetet nën kontrollin amerikan.

Mbi 82 mijë vetë janë evakuuar nga Kabuli brenda 10 ditësh, ndërkohë gjenerali amerikan, Hank Taylor, thotë se mbi 10,000 vetë të tjerë mbeten në pritje të nisjes. Nga aeroporti i Kabulit “avionët nisen çdo 39 minuta”. Ai paralajmëroi se numri i njerëzve që i drejtohen aeroportit, në përpjekje për t’u larguar nga Afganistani, mund të rritet.

Turmat duan të largohen, sepse shumë kanë frikë nga hakmarrja e talebanëve për shkak të punës së tyre me trupat ndërkombëtare gjatë dy dekadave të fundit. Disa po ashtu druajnë se regjimi taleban mund të vendosë zbatimin e linjës së ashpër të ligjit islamik, që shtyp sidomos gratë.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, vendosi tërheqjen e trupave amerikane nga Afganistani në muajin Prill, pas 20 vjet lufte.

Pas SHBA-së, edhe NATO-ja ka njoftuar se të gjitha trupat ndërkombëtare do të tërhiqen nga Afganistani.

Klan News