Qeveria australiane organizoi largimin e sportisteve dhe familjeve te tyre

Futbollistet e ekipit kombëtar të Afganistanit për femra dhe ato të ekipit Shpresa janë evakuuar nga Kabuli nga qeveria australiane pas apelit të Federatës Ndërkombëtare të Shoqatave të Futbollistëve Profesionistë.

Pas marrjes së kryeqytetit afgan nga talibanët, jeta e sportisteve ishte në rrezik. Për këtë u organizua një operacion për largimin e sportisteve, stafit të kombëtares dhe familjarëve të tyre drejt shteteve të sigurta. Në total ishin 75 personat e shpëtuar.

Një pjesë e mirë e futbollisteve gjithashtu ishin aktiviste për të drejtat e grave dhe jeta e tyre ishe në rrezik.

Shqetësimi është i madh se në Afganistan ka shumë sportiste të tjera, jeta e të cilave rrezikohet për shkak të qëndrimeve të tyre të kundërta me talibanët. Kombëtarja e futbollit u krijua në vitin 2007 si një akt për të kundërshtuar ligjet e imponuara nga talibanët.

Futbollistet u këshilluan këtë muaj që të fshinin postimet në rrjetet sociale dhe fotografitë e tyre me ekipin për të shmangur hakmarrjen, pasi qeveria pro-amerikane ra.

Kur talibanët morën pushtetin në Afganistan, vajzave iu ndalua që të shkonin në shkollë pas moshës 10-vjeçare dhe shumë prej tyre edhe pse fëmijë u martuan me forcë.

Nën regjimin shtypës që përfundoi në 2001 pas ndërhyrjes amerikane, femrave nuk u lejohej që të largoheshin vetëm nga shtëpia dhe duhej të mbanin veshur burka.

Klan News