Dominojnë skemat e mashtrimit me TVSH, 10 milionë $ dëm buxhetit

Arkës së shtetit i është shkaktuar gjatë vitit të shkuar 10 milionë dollarë dëm përmes skemave të mashtrimit me Tatimin mbi Vlerën e Shtuar që kanë bërë bizneset.

Sipas të dhënave zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve gjatë vitit 2020 Hetimi Tatimor ka zbuluar 5 skema ku deklaroheshin fatura fiktive TVSH-je dhe ku dhjetëra ndërmarrje kanë përfituar rimbursim nga administrata.

Bizneset kanë blerë në mënyrë fiktive mallra nga njëri-tjetri dhe më pas i deklaronin si shitje duke bërë kërkesë për kthimin pas të tatimit mbi vlerën e shtuar, para të cilat rezultojnë të jenë marrë padrejtësisht nga buxheti i shtetit.

Në këto skema dyshohet se kanë qenë të përfshira dhjetëra biznese, kryesisht në fushën e ndërtimit dhe tregtisë. Edhe gjatë vitit 2019-ë janë zbuluar 8 skema të ngjashme të cilat u kanë rënduar 8 milion dollarë xhepave të taksapaguesve.

Në total shkeljet e zbuluara në fushën e evazionit fiskal vitin që shkoi arrijnë në 50 milionë dollarë, ku 20% të kësaj shume e zënë skemat klasike të mashtrimit me faturat e TVSH-së.

Tv Klan