Qeveritë e vendeve europiane po përpiqen të kuptojnë domethënien e komenteve, që bëri presidenti i zgjedhur amerikan në një intervistë gjatë fundjavës me dy gazeta europiane. Pikëpyetja e tyre është në se komentet e Trump do të përkthehen në politika të reja ndaj aleatëve.

Udhëheqësit Europianë patën shpresuar se me afrimin e inaugurimit të presidentit të ri amerikan, Trump do t’i zbuste kritikat e shprehura gjatë fushatës së tij elektorale në drejtim të Bashkimit Europian dhe NATO-s, që ai e ka kritikuar si një aleancë “të vjetëruar.”

Por Trump i përsëriti kritikat e tij ndaj NATO-s dhe BE-së në intervistat për gazetën britanike “Sunday Times” dhe atë gjermane “Bild”.

“Komenti i Donald Trumpit ndaj NATO-s bie në kundërshtim me atë të sekretarit të mbrojtjes gjatë seancës për konfirmimin e tij disa ditë më parë”, tha ministri i jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier.

Disa udhëheqës europianë po preferojnë të mos shprehen paraprakisht. Kancelarja gjermane Angela Merkel, për shembull, tha se do të kërkojë të arrijë në marrëveshje me presidentin e zgjedhur të Shteteve të Bashkuara Donald Trump pas betimit të tij, por këmbënguli se Evropa do të ndjekë rrugën e saj pavarësisht diferencave me udhëheqësin e ri amerikan./ tvklan.al