Zgjedhjet europiane në Greqi fitohen nga Demokracia e Re. Ky është rezultati paraprak i Exit-polleve që e nxjerrin partinë më të madhe opozitare me 7 pikë më shumë ndaj SYRIZA-s së kryeministrit Alexis Tsipras.

Nga anketimi i njerëzve pas votimit rezulton se Demokracia e Re ka marrë nga 32 deri 36% të votave, SYRIZA 25-29%, Lëvizja për Ndryshim (PASOK)  rreth 9% ndërsa Agimi i Artë dhe Partia Komuniste rreth 7%.

Edhe pse një vlerësim i parë zyrtar i rezultatit do të bëhet në orët e vona të natës, konsiderohet e sigurt që Demokracia e Re ka dalë fituese e këtyre zgjedhjeve.

Një goditje e rëndë konsiderohet vota euro-parlamentare për kryeministrin Tsipras. Kjo pasi si shefi i qeverisë ashtu edhe kreu i opozitës Kyriakos Mitsotakis e kishin shndërruar garën elektorale në një referendum pro, apo kundër secilës palë.

“Ditët e fundit, kryeministri Tsipras u bëri thirrje qytetarëve që në këto zgjedhje t’i japin votëbesim qeverisë së tij. ‘Nëse nuk marr votëbesimin që kërkova, atëherë çdo gjë është e hapur’, deklaroi kryeministri në intervistën e tij të fundit para këtyre zgjedhjeve.

Sipas analistëve, kjo nuk përjashton që Tsipras të befasojë me shpallje zgjedhjesh të parakohshme ndoshta brenda muajit Qershor.”

Tv Klan