E përditshmja britanike “Express” i ka kushtuar një artikull turizmit në Shqipëri, duke e sjell në një formë krahasimi me plazhet e Spanjës, duke qenë se është një nga tregjet më të kërkuara të turistëve britanik.
“Vetëm tre orë larg me fluturim nga Britania e Madhe ekziston një vend i bukur ballkanik me 300 ditë me diell në vit, dhe çmime shumë më të lira”, shkruhet në artikullin e “Express”.
Riviera shqiptare e vendosur përgjatë detit Jon, është e njohur për ujërat e pastra kristal, plazhet e pacenuara dhe peizazhet mahnitëse që shtrihen nga qyteti i Vlorës deri në fshatin e Ksamilit.
Duke ju referuar të dhënave të booking, në shkrimin e “Express”, shkruhet se në Spanjë, kostoja mesatare e një hoteli me katër yje është 180-210 paund në natë, në Rivierës Shqiptare do të gjeni të njëjtën dhomë që kushton rreth 85 paund në natë.
Riviera Shqiptare është e mbushur me fshatra mahnitës si Palasë, Dhërmiu, Himara dhe Ksamili të cilat ofrojnë pamje dhe plazhe mahnitëse.
Këto plazhe sipas artikullit ofrojnë një përvojë emocionuese për turistët krahasuar me pikat e tjera të nxehta të Mesdheut, duke ruajtur një bukuri autentike dhe të paprekur. Muajt më të mirë për të vizituar Rivierën Shqiptare është maji, qershori ose shtatori. Gjatë kësaj periudhe, moti është i ngrohtë dhe plazhet nuk janë shumë të populluara.
Klan News