Tarifa e regjistrimit në kampionat për sezonin tjetër pritet të rritet

Forma fantastike në këtë sezon të Formula Një, e kurorëzuar me titullin e tretë kampion, do i kushtojë jo pak Max Vershtappen. Piloti holandez duhet të paguajë një tarifë stratosferike për të qenë pjesë e Botërorit të automobilizmit në sezonin e ardhshëm. Ai ka fituar një numër rekord pikësh, 524 deri më tani, sukses që vendos koston e përkohshme të licencës në 1,1 milion Euro. Por nëse Verstappen arrin fitore në dy garat e fundit të sezonit, në Las Vegas dhe Abu Dhabi, shifra mund të rritet në shumën prej 1,3 milion Euro, pasi tarifat e regjistrimit për vitin 2024 reflektojnë një rritje prej 7%.

Leja për të konkurruar është e strukturuar në bazë të një shume fikse, ku shtohet dhe llogariten edhe pikët që një pilot grumbullon gjatë gjithë sezonit. Çmimi bazë i licencës këtë vit ka qenë 10,400 Euro, teksa për çdo pikë të grumbulluar, pilotët duhej të paguanin 2100 Euro shtesë. Në ekstremin e kundërt me Verstappen, debutuesi Logan Sargeant, i cili ende nuk e ka siguruar vazhdimësinë e tij te Williams, do të duhej të paguante vetëm 13,375 Euro bazuar në pikën e vetme që ka shënuar këtë sezon. Piloti holandez i Red Bull e garantoi titullin e tretë në karrierë 6 gara para fundit të kampionatit, ku vendosi edhe një rekord 17 fitore brenda një sezoni të vetëm.

Klan News