“Kjo fabrikë këtu ndot thuajse çdo ditë gjithë lagjen në zonën e Porcelanit. Ndodhet brenda një qendre të banuar, por vazhdon e pashqetësuar të lëshojë tym e gazra të dëmshme për shëndetin. Banorët janë ankuar me dhjetëra herë, për vite me radhë pranë institucioneve, por makthi i tyre nuk ka fund. Brenda saj bëhen llulla dhe materiali që digjet për prodhimin e tyre lëshon tymra të rrezikshëm për shëndetin”.

Sapo sheh kameran, roja i godinës fik të gjitha dritat.

Më pas fshihet. Mesa duket është instruktuar të reagojë në këtë mënyrë nëse sheh që dikush i drejtohet fabrikës për t’u ankuar, se nga tymi i saj është e pamundur të jetohet në këtë zonë, në Porcelan.

Me kërkesë të disa banorëve ne njoftuam inspektorët e mjedisit, për të ndërhyrë që ta konstatonin në flagrancë ndotjen e mjedisit nga tymrat e rrezikshëm që nxjerr djegia e materialeve plastike që përdoret për llullat. Por ata erdhën vetëm të nesërmen, pra paraditen e të shtunës.

Roja nuk i lejon të hyjnë brenda. U thotë se duhet të kenë autorizim.

Kur inspektorët i tregojnë se mbrëmë tymi i fabrikës ka shqetësuar të gjithë lagjen, ai u përgjigjet se fabrika nuk ka qenë në punë.

Por pamjet filmike të marra mbrëmë e përgënjeshtrojnë.

Sa herë bie nata, tubat e kësaj fabrikë nisin të nxjerrim tym. Gjatë ditës ngjan me një ndërtesë të braktisur. Banorët thonë se ky problem zgjat prej kohësh dhe askush nuk ndërhyn.

Inspektorët e mjedisit thonë se do të kthehen të hënën që të verifikojnë të gjithë dokumentacionin dhe procedurat e ndjekura nga kjo fabrikë. Por nuk dhanë shpjegim se përse nuk ndërhynë një natë më parë, kur mund ta konstatonin ndotjen në flagrancë dhe ku për të kontrolluar nuk do të nevojitej as autorizim.

Tv Klan