Fabrika e prodhimit të iPhone në Kinë kërkon falje pas protestave të mëdha

Fabrika e prodhimit të iPhone në Kinë kërkon falje pas protestave të mëdha

09:23 24/11/2022

Prodhuesi i Apple – Foxconn ka kërkuar falje për një gabim teknik në sistemet e saj të pagesave, një ditë pasi fabrika e saj e iPhone u “trondit” nga protesta të punonjësve. Foxconn bëri ​​një deklaratë duke thënë se ka ndodhur një gabim teknik, duke shtuar se pagesa e punonjësve të rinj ishte e njëjtë me atë të rënë dakord kur janë rekrutuar në punë.

Kompania tha se ishte në komunikim të vazhdueshëm me punonjësit e prekur për pagat dhe shpërblimet dhe po bënte çmos “për të zgjidhur në mënyrë të shpejtë shqetësimet dhe kërkesat e arsyeshme të punonjësve”.

Në videot e bëra publike shfaqeshin qindra punëtorë që marshonin në fabrikën më të madhe të prodhimit të iPhone në Zhengzhou, të cilët protestonin kundër kufizimeve të Covid-19 dhe pretendimit për paga të vonuara. Ata që transmetonin drejtpërdrejt protestat deklaruan se punëtorët u dhunuan nga policia.

Muajin e kaluar, rastet në rritje të Covid-19 sollën vendimin për mbylljen e fabrikës, duke bërë që disa punëtorë të ktheheshin në shtëpitë e tyre. Kompania më pas rekrutoi punëtorë të rinj me premtimin e shpërblimeve. Por një punëtor tha se këto kontrata u ndryshuan në mënyrë që ata “nuk mund të merrnin shpërblimin e premtuar”, duke shtuar se ata ishin në karantinë pa ushqim.

Protesta vjen pasi Kina ka regjistruar një rekord të ri të rasteve me Covid që nga fillimi i pandemisë, ndërkohë që vendi ka parë një valë shpërthimesh me disa qytete të mëdha si Pekini dhe Guangzhou./tvklan.al





Të ngjashme