57-vjeçari Alain Cocq vuan nga një sëmundje vdekjeprurëse, e cila bën që muret e arterieve të tij të ngjiten së bashku. Ai thotë se ka qenë në një “fazë terminale” për më shumë se 30 vjet dhe kërkon “të drejtën për të vdekur”.

Eutanazia ose “e drejta për të vdekur” është e paligjshme në Francë. Megjithatë, mjekët lejohen të vendosin pacientë të sëmurë terminalë në gjumë të thellë, vetëm atëherë kur vdekja është shumë afërt.

Alain, në muajin Korrik, i kishte shkruar Presidentit francez Emmanuel Macron, duke përshkruar “vuajtjet e tij jashtëzakonisht të mëdha” dhe duke kërkuar leje për të vdekur “me dinjitet”.

Macron i ishte përgjigjur duke thënë se  ishte “shumë i prekur” nga letra, por nuk mund të pranonte kërkesën për eutanazi dhe i kishte shpjeguar se as ai vetë “nuk ishte mbi ligjin”.

Pas refuzimit të kërkesës nga ana e Macron, të shtunën Alian ishte betuar “live” në Facebook se do të refuzonte ushqimin, pijet dhe ilaçet derisa të vdiste. Ai njoftoi se kishte mbaruar “vaktin e tij të fundit” duke thënë “e di që ditët në vazhdim do të jenë të vështira, por unë kam marrë vendimin tim dhe jam i qetë”.

Facebook në të njëjtën ditë bllokoi llogarinë dhe planin e tij për të transmetuar “ live” vdekjen e tij të ngadalshme.

“Megjithëse ne respektojmë vendimin e Z. Cocq për tërhequr vëmendjen rreth një çështjeje kaq komplekse, pas këshillave të ekspertëve  kemi marrë masa për të parandaluar transmetimin e drejtpërdrejtë në llogarinë e Alain”, kjo deklaratë erdhi nga një zëdhënës i Facebook, duke shtuar se kompania nuk mund të lejojë portretizime të vetëvrasjeve.

Plani i Cocq vazhdoi deri të mërkurën, kur më në fund hoqi dorë dhe deklaroi për agjencinë e lajmeve AFP se nuk kishte më forcë për të luftuar dhe se do të pranonte ndihmë mjekësore. Ai u shtrua në spital në qytetin e Dijon, por nuk ka hequr dorë nga dëshira “për të shkuar, pa vuajtje” dhe vazhdon të bëjë thirrje për ndryshim legjislacioni, duke kërkuar që njerëzit të cilët kanë sëmundje terminale, të lejohen të vdesin siç dëshirojnë.

Eutanazia është temë e cila në vazhdimësi gjatë historisë ka nxitur diskutime kontraverse në vende të ndryshme. Debati për lejimin ose jo të saj është mjaft i përhapur edhe në Francë, por disa grupe të mëdha dhe me ndikim, përfshirë Kishën Katolike, e kundërshtojnë atë në mënyre të rreptë për arsye morale./tvklan.al