Reagim pas kritikave për përhapje të lajmeve të rreme

Facebook u ka dhënë mundësinë përdoruesve të tij, por edhe të filialit Instagram të heqin ose bllokojnë reklamat politike në rrjetet sociale. Lajmi është bërë i ditur  nga vetë themeluesi i tyre Mark Zuckerberg për USA Today, në kuadër edhe të zgjedhjeve presidenciale që mbahen këtë vit në Shtetet e Bashkuara.

Nëse reklamat do të vijojnë të shfaqen, përdoruesit do të kenë edhe mundësinë e raportimit. Kjo alternativë do të vihet në dispozicion për të gjithë përdoruesit amerikanë të platformave gjatë javëve të ardhshme, ndërsa për vendet e tjera do të hyjë në fuqi vjeshtën e këtij viti.

Facebook është përballur me kritika të forta për lejimin e reklamave nga politikanë, organizata, parti etj, ku në shumë raste bëhen edhe burim i përçimit të informacioneve të rreme, të njohura si “Fake News”. Twitter, rivali i madh i Zuckerberg, ndaloi reklamat politike Tetorin e kaluar dhe së fundmi fshiu nga platforma mesazhet e presidentit Trump në lidhje me protestat për afroamerikanin George Floyd.

Zuckerberg u bëri thirrje të gjithëve të votojnë në zgjedhjet e ardhshme, si zëri i vetëm më i fuqishëm i demokracisë dhe mënyra e vetme për adresimin e çështjeve themelore të vendit.

Tv Klan