Facebook ka hequr një video intervistë të ish-Presidentit amerikan Donald Trump që kishte zhvilluar me gazetaren e Fox News, Lara Trump, e cila është edhe bashkëshortja e djalit të tij Eric.

Intervista ishte botuar në Facebook nga vetë gazetarja, por kompania reagoi duke e hequr postimin. Kjo për shkak se Donald Trump është i pezulluar në të gjitha rrjetet sociale që zotërohen nga Facebook, pas trazirave që ndodhën në Kongresin amerikan.

Një zëdhënës i Facebook deklaroi se çdo postim në këtë rrjet social por edhe në të tjerat që ka të bëjë me Donald Trump, do të fshihet.

“Zëri i Presidentit Trump nuk lejohet aktualisht në platformat tona, përfshirë edhe postimet e reja”, thuhet në këtë njoftim.

Stafi i Donald Trump u vu në dijeni për këtë veprim që bazohet në rregulloren e Facebook për shkak të pezullimit pa afat që ka ndaj ish-Presidentit amerikan në këtë rrjet social. /tvklan.al