Shpërndanin informacion të rremë në internet në lidhje me vaksinimin anti –covid

Kompania Facebook  ka njoftuar se ka mbyllur një rrjet prej dhjetëra profilesh në Facebook dhe Instagram nga Rusia në lidhje me dezinfomimin për vaksinat kundër COVID-19. Zyrtarët e Facebook-ut thanë se ata vepronin si një “lavatriçe e dezinformimit”. Llogaritë ishin të lidhura me “Fazze”, një firmë reklamimi dhe marketingu e regjistruar në Mbretërinë e Bashkuar. Facebook tha se puna e “Fazze”-s ishte bërë kryesisht nga Rusia në emër të një klienti të panjohur.

Rrjeti publikonte mesazhe dezinformuese për vaksinat kundër COVID-19, kryesisht në audiencën në Indi, Amerikën Latine dhe, në një masë më të vogël, Shtetet e Bashkuara.Facebook dhe media të tjera sociale janë përballur me kritika të ashpra, përfshirë edhe nga Presidenti amerikan Joe Biden, për përhapjen e gënjeshtrave për vaksinimin, të cilat po pengojnë përpjekjet për të luftuar pandeminë e koronavirusit në të gjithë botën. Një ndër publikimet që kishin bërë këto llogari pretendonte se një vaksinë perëndimore do t’i shndërronte njerëzit në majmunë.

Këtë veprim analistët e shohin si një përpjekje për përfitime gjeopolitike pasi Rusia synon të shesë vaksinëen e saj kundër COVID-19.

Klan News