Nuk ka asnjë provë që Rusia të ketë ndikuar përmes Facebook-ut në rezultatin e votimeve për daljen e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian. Kështu thotë zv/Presidenti i Facebook, Sir Nick Clegg. Ai tha se kompania ka kryer të gjitha verifikimet e nevojshme dhe nuk gjeti asnjë përpjekje nga forca të jashtme për të ndikuar në votim.

Sir Nick Clegg, ish-zv/Kryeministër i Britanisë së Madhe gjatë qeverisë së koalicionit, u punësua nga Facebook në muajin Tetor të vitit të kaluar. Në vend të mungesës së ndikimit rus, Clegg tha se “rrënjët e euroskepticizmit britanik janë shumë të thella”.

Në një intervistë për BBC, ai ka bërë thirrje që Facebook dhe gjigandët e tjerë të teknologjisë duhet të bëjnë akoma më shumë për t’u rregulluar. Sipas tij, rrjetet sociale kanë nevojë për rregulla të reja mbi privatësinë, zgjedhjet, përdorimin e të dhënave personale dhe gjuhën e urrejtjes. Ai thotë se këto rregullime nuk duhet të bëhen nga Facebook apo kompanitë e tjera, por nga politikanë të cilët duhet të ndërmarrin nisma dhe propozime ligjore. /tvklan.al