Rrjeti më i madh social do të preket nga ndryshime të tjera. Facebook do të fillojë t’u shpjegojë përdoruesve përse ata po shikojnë postime të caktuara në “news feed”. Rrjeti social njofton se kjo është një përpjekje për ta bërë këtë platformë më të lehtë për t’u kuptuar.

Në postimet e fundit që do të shfaqen, do të ketë një opsion “përse po e shikoj këtë postim”. Përdoruesit do të kenë mundësi të kuptojnë përse një postim i caktuar po i shfaqet, bazuar në algoritmet e Facebook. Sipas kompanisë, ky opsion i ri është dizajnuar për të ndihmuar përdoruesit që të kuptojnë më mirë shfaqjen e postimeve dhe të kontrollojnë më lehtë atë që shohin miqtë e tyre, duke përfshirë faqe të ndryshme.

Rrjeti social ka njoftuar gjithashtu se do të bëhet edhe përditësim i të dhënave të saj për reklamat. Kompania tha se çdo reklamues në Bashkimin Europian do t’i nënshtrohet kontrolleve më të rrepta, të cilëve do t’u kërkohen dokumente që konfirmojnë identitetin, të dhënat dhe vendndodhjen e tyre. Personat apo kompanitë që do të financojnë reklamat që lidhen me politikën në Facebook dhe Instagram, do të duhet të etiketohen qartë. Këto ndryshime janë pjesë e përpjekjeve të Facebook për të pasur kontroll më të madh në postimet dhe materialet që qarkullojnë në këtë rrjet social. /

tvklan.al