Bitcoin është monedha më e fuqishme virtuale globale. Por shumë shpejt mesa duket do të ketë rivalë. Facebook po përgatitet që të nxjerrë në qarkullim monedhën e vetë virtuale vitin e ardhshëm, që do të quhet GlobalCoin.

Themeluesi dhe shefi ekzekutiv i Facebook, Mark Zuckerberg është takuar me Guvernatorin e Bankës së Anglisë muajin e kaluar për të diskutuar pikërisht për këtë plan të ri, raporton BBC. Mendohet se Zuckerberg ka biseduar edhe me drejtuesit e Thesarit Amerikan dhe firma të tjera ekonomike, për të hedhur në qarkullim monedhën virtuale GlobalCoin.

Testimi për të thuhet se do të nisë në fund të vitit. Megjithatë, Facebook nuk e ka konfirmuar zyrtarisht këtë lajm. E pyetur nga mediat, kompania dha këtë përgjigje: “Ashtu si shumë kompani të tjera, Facebook është duke eksploruar mënyra për të nxitur fuqinë teknologjike. Ky ekip i ri i vogël është duke eksploruar shumë aplikacione të ndryshme”.

Megjithatë, Komitetit Amerikan i Senatit dhe Bankave ka shprehur shqetësimin lidhur me raportimet që Facebook kërkon të hyjë në biznesin e monedhës dixhitale. /tvklan.al