Rrjeti social Facebook në pronësi të kompanisë Meta, njoftoi se do t’u ofrojë përdoruesve mundësinë e një kontrolli më të madh të përmbajtjes që ata shohin. Rrjeti social ka qenë nën kritika të vazhdueshme për mënyrën sesi algoritmet e tij promovojnë përmbajtjen.

Përfaqësues të Facebook thanë se janë në fazën që po testojnë kontrollet për të “rregulluar përzgjedhjen” dhe për të personalizuar përmbajtjen. Kjo përfshin rritjen e numrit të postimeve nga miqtë dhe të afërmit, dhe zvogëlimin e atyre nga grupet dhe faqet tjera.Mundësitë e kontrollit që tashmë ekzistojnë, përmes ndryshimeve të reja, do të bëhen më të lehta e të qasshme.

Sipas kompanisë tashmë do të fillojë testimin në disa vende të botës për një përqindje të vogël njerëzish, duke u zgjeruar gradualisht në javët në vijim. Kjo është pjesë e punës së vazhdueshme të Facebook për t’u dhënë njerëzve më shumë kontroll mbi burimin e lajmeve, në mënyrë që ata të shohin më shumë atë që duan dhe më pak atë që nuk duan.

Në fillim të muajit nëntor Facebook-u njoftoi se do ta çaktivizonte sistemin e vet të njohjes së fytyrave dhe se do t’i fshinte gjurmët e fytyrave të më shumë se 1 miliard njerëzve, pas shqetësimeve në rritje rreth teknologjisë dhe keqpërdorimit të saj nga qeveritë, policia dhe të tjerët.

Klan News