Kompania lë nepër aeroporte qindra pasagjerë

“Qindra qytetarë të cilët presin të fluturojnë nga Tirana për në destinacionet italiane si Pizza, Bergamo dhe Bolonja janë duke pritur prej orësh në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës për të nisur udhëtimin me kompaninë Fly Ernest. Fluturimet janë shtyrë dhe anuluar disa herë, por askush nga kompania nuk ndodhet në sportel për të sqaruar klientët.”

Sporteli i linjë Fly Ernest është mbyllur. Askush nuk sqaron qytetarët që kanë prerë biletat me këtë linjë, se përse fluturimi i tyre është shtyrë disa herë, ndërsa për Bolonjën dhe Pizzën është anuluar.

Koncesionari i Rinasit nuk lejoi që kamera të hyjë brenda dhe të filmojë. Por përmes videove të bëra nga qytetarët në aeroport, duket që numri i qytetarëve që u është shtyrë dhe anuluar fluturimi, arrin në qindra.

Qytetarët dolën jashtë për të kërkuar zgjidhje ose kompensim të biletës. Kjo çoi edhe në një përplasje të tyre me personat e sigurisë të aeroportit. Ata thonë se po udhëtojnë në këto vende pasi kanë lënë takim me mjekun në spital, e për disa të tjerë fëmijët duhet të kishin nisur shkollën që sot.

Biletat e prera me Fly Ernest nuk kanë kushtuar pak, ndërsa prerja e biletave me linja të tjera në minutën e fundit është e kushtueshme, e për disa e papërballueshme.

Burime pranë kompanisë Fly Ernest dhe Autoritetit të Aviacionit Civil thonë se ka ende me qindra qytetarë të cilët kanë prerë biletat me këtë linjë fluturimi, fati i udhëtimit të të cilëve nuk dihet se si do të zgjidhet.

Më datën 29 Dhjetor, Autoriteti Italian i Aviacionit Civil pezulloi licencën e shoqërinë Ernest SPA, për shkak të detyrimeve të akumuluara dhe vështirësive financiare dhe lejoi udhëtimet deri në datën 13 Janar. Kjo situatë ka sjellë probleme të shumta. Prej ditës qytetarët presin në aeroport dhe askush nuk i ka dhënë zgjidhje.

Në mbrëmje Autoriteti Civil njoftoi se kompania ka mundur të sigurojë tre avionë për transportin e pasagjerëve.

“Kompania rreth orës 17:30 ka firmosur një kontratë vetëm për sot për tre avionë shtesë. Dy fluturime u larguan, një është në pritje nga Verona, që pritet të largohet drejt Milanos në 09:20 për të mbrojtur qytetarët që kanë prerë një biletë”.

Sipas kreut të Aviacionit Civil, qytetarët që kanë prerë biletat duhet të kontaktojnë me kompaninë për rimbursimin.

Kompania Ernest morri licencën në Itali dhe nisi fluturimet në vitin 2016-të. Në bazë të dokumenteve të administratës të Aeroportit të Tiranës, person i lidhur me këtë firmë rezulton të jetë Ilir Xhelo, pronar i ish-kompanisë ajrore Belle Air, e cila falimentoi në vitin 2013-ë duke shkaktuar një dëm prej miliona eurosh për autoritetet dhe qytetarët.  

Tv Klan