Rexhepi: Namazi shpall fitore mbi Covid-19 

Me mesazh për fitore të së mirës mbi të keqen dhe me besim të fortë në Zot, para Xhamisë së Mustafa Pashës në Shkup u drejtua kreu i BFI-së, Reis Sulejman Rexhepi, duke ua uruar festën e Fitër Bajramit të gjithë besimtarëve të besimit mysliman. 

“Gjithmonë ta fitojmë të keqen dhe ta dini se prej sot Covid-19 mund lirisht ta shpall të vdekur, duke pasur parasysh atë që ne e fituam dhe për këtë arsye jemi këtu para xhamisë, Zoti është me ne”, tha Rexhepi. 

Përmes një video urimi në profilin e tij në Facebook, kryeministri teknik Oliver Spasovski e uroi festën e Fitër Bajramit si mundësi për ripërtëritje shpirtërore dhe bashkëjetesë. 

“Këtë vit Fitër Bajrami, si festë e ripërtëritjes së forcës shpirtërore që e forcon besimin e njerëzve në të mirën, të vërtetën, të drejtën dhe nxit dëshirën për respekt të ndërsjellë, mirëkuptim, solidaritet, ka domethënie të veçantë për shkak të gjendjes aktuale shëndetësore dhe ekonomike e shkaktuar nga pandemia me Covid-19.” 

Urime drejtoi edhe kreu i BDI-së Ali Ahmeti.

“Në këto kohëra të vështira dhe të paparashikueshme, të shtojmë kujdesin dhe lutjet për njëri tjetrin dhe për njerëzimin në përgjithësi për ta
tejkaluar këtë sfidë sa më lehtë e sa më shpejt që t’i kthehemi bashkë normalitetit dhe jetës siç e njohim dhe e duam”,
u shpreh Ahmeti.

Edhe kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev uroi festën e Fitër Bajramit.

“Bashkëqytetarë të nderuar, besimtarë të besimit mysliman, në emër të Lidhjes Social-demokrate të Maqedonisë, si dhe në emrin tim personal ua uroj festën e madhe Fitër Bajramin. Uroj që këto ditë festive t’i kaloni me më të afërmit dhe më të dashurit tuaj, në paqe, dashuri, qetësi dhe mirëkuptim të ndërsjellë”, tha Zaev. 

Urim për bashkëjetesë drejtoi edhe lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski. 

“Ju uroj shëndet, lumturi, paqe dhe begati në shtëpitë tuaja. Festa e sotme na mëson humanitetin, ndihmën ndërmjet veti dhe respektin për njëri-tjetrin. Tradita është ajo që na bashkon, dhe jo që na ndan, me shekuj të krishterët dhe myslimanët kanë jetuar në këto troje dhe kanë festuar bashkë, janë gëzuar, por edhe kanë qenë të pikëlluar”, u shpreh opozitari.

Sot nëpër xhami janë respektuar masat, ndërsa falja e namazit zgjati vetëm 15 minuta, siç ishte e rekomanduar në masat e BFI-së. Përveç pajisjeve mbrojtëse dhe mbajtjes së distancës, rekomandimet ishin që çdo besimtar të mbaj sexhaden e tij dhe të shmangen përshëndetjet me kontakt fizik. Bakllavaja dhe ëmbëlsirat , që janë sinonim i Fitër Bajramit, rekomandohen që t’u shërbehen vetëm anëtarëve të familjes më të ngushtë.

Klan Macedonia