100 orë pune publike për futbollistin e Tiranës

Futbollisti i Tiranës, Uinful Kobina, është dënuar me 100 orë punë në shërbim publik, pasi u shpall fajtor nga Gjykata e Tiranës, për falsifikim të lejes së qëndrimit.

Kobinah ka qenë i pranishëm gjatë momentit që gjyqtari Kastriot Gramshi dha vendimin për ta shpallur fajtor. Avokati u shpreh se do të apelojë çështjen.

Në muajin qershor të 2019-së, Kobinah u kap në Rinas me një vizë që i kishte skaduar afati. Por më pas 29-vjeçari ka dorëzuar një leje qëndrimi në Shqipëri. Por edhe kjo leje qëndrimi ishte e skaduar dhe për më tepër rezultoi se numri i pasaportës në leje, i përkiste një personi tjetër.

Vetë Kobinah u shpreh para gjykatës, se lejen ia ka dhënë dikush që ndiqte ndeshjet e Tiranës, por që ai nuk e njeh. Akuza për falsifikim dokumentesh, është bërë objekt debatesh politike.

Në fund të muajit shtator të këtij viti Presidenti Meta i dha futbollistit nga Gana nënshtetësinë shqiptare. Por sipas mazhorancës kjo ishte në shkelje e ligjit, i cili përcakton se nuk mund të marrë shtetësinë shqiptare një person që akuzohet për vepër penale siç është falsifikimi i dokumenteve.

Tv Klan