Spanjollët u sulmuan gjatë pushimeve në Himarë

Edhe pse vizita e parë në Shqipëri ishte një eksperiencë jo e mirë për familjen spanjolle Galdon, e cila u sulmua nga pronari i një restoranti në Himarë, duket se gjithçka është tejkaluar.

Gjatë pjesëmarrjes në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit në Madrid, ministri i Mjedisit dhe Turizmit Blendi Klosi është takuar me kryefamiljarin e familjes Galdon, i cili premtoi se do të rikthehet në Shqipëri jo vetëm si turist, por edhe për të ndihmuar pas tërmetit.

“Me Z. Galdon ndamë disa mendime se si ne në Shqipëri do të kemi shumë nevojë që të shërbejmë si një shoqëri që i shërben turizmit, ne kemi nevojë që të krijojmë njerëz  të edukuar, njerëz që dinë të shërbejnë, dhe po ashtu të krijojmë disa standarde të cilat do të hapin më shumë Shqipërinë për këto biznese”, tha ministri Klosi.

“Unë do të ndërtoj një shkollë të zonës së dëmtuar nga tërmeti. Ka shumë mënyra të ndryshme si ju mund të kontribuoni për vendin tuaj. Shqipëria është një atraksion i vërtetë dhe ne kemi ndërmend të kthehemi shumë shpejt me anijet tona dhe të vizitojmë vendin tuaj të bukur”, u shpreh z.Galdon.

Në Gusht të vitit të kaluar, familja Galdon ishte me pushime në Shqipëri kur u sulmua nga pronari i lokalit “Panorma”. Pas ngjarjes, Mihal Kokëdhima u dënua me 1 vit heqje lirie, ndërsa lokali i tij pa leje u shemb.

Tv Klan