Veliaj: Po përfundojmë edhe 62 shtëpi të tjera

Familja Ismalaj nga Petrela ka hyrë në shtëpinë e re të rindërtuar pas shkatërrimit të banesës së tyre nga tërmeti i Nëntorit të 2019.

Vizitën e parë në shtëpinë e re ua bëri kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj i cili tha se janë drejt përfundimit 62 shtëpitë e mbetura.

“Kjo punë nuk bëhet pa bashkëpunim. Nëse secili jep një dorë, si shtëpia e Nazmies po ndërtohen edhe 62 shtëpi të tjera. Kushdo që na sheh duhet të kuptojë se ashtu siç u bë kjo shtëpi, do bëhen edhe të tjerat”.

Veliaj tregoi se ne kopshtin e ri në Fikas dhe në shkollën moderne në Mangull kanë filluar regjistrimet e fëmijëve.

“Hapja e shkollës së re dhe kopshtit na jep një mundësi që t’u themi banorëve: Për sa kohë që gjithë të pasurit e Tiranës po mundohen të vijnë në Petrelë e në Farkë, nuk ka asnjë sens që fëmijët e Farkës e Petrelës t’i hipin fugonit për të shkuar në Tiranë. Nga kopshti deri në gjimnaz, fëmijët s’kanë nevojë të bëjnë vara-vingo”.

Shtëpia e re e familjes Islamaj është më e madhe e me kushte më të mira se më parë.

Tv Klan