Familja jep zemrën e 20-vjeçares për t’i shpëtuar jetën një të riu



Familja jep zemrën e 20-vjeçares për t’i shpëtuar jetën një të riu

19:34 17/04/2021

Transplante historike të organeve në Shkup

Një i ri 22-vjeçar është bekuar me shansin e dytë për jetë. Pas një ndërhyrjeje kirurgjikale disa orëshe, ai tashmë ka një zemër të re. Donatorja është një 20-vjeçare e cila kishte humbur jetën në një fatkeqësi trafiku. Familja e saj kishte vendosur që t’ia dhurojë organet. Babai i 22-vjeçarit ka falenderuar familjen e donatores 20-vjeçare dhe personelin mjekësor që kishte bërë ndërhyrjen kirurgjikale.

“Po jam i lumtur. Djali është mirë e vizitova. Së pari falenderoj familjen e donatores që ia dhuruan zemrën djalit tim, por edhe personelin mjekësor që bëri transplantimin, si dhe Ministrin Filipçe”.

Ekipi i mjekëve që deri në orët e mëngjesit kishin kryer operacionin në Klinikën për Kardiokirurgji ka qenë i shoqëruar nga Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe. Ai përmes Facebook-ut shpërndau një fotografi ku mjekët i përkulem 20-vjeçares që kishte dhuruar organet, fotografi kjo që është bërë virale nëpër rrjetet sociale. Gjatë një pres-konference në orët e pasdites Ministri dha detaje për këtë transplantim, siç e quajti historik, të zemrës.

“Gjatë ditës së djeshme, përkundër se ishin marrë të gjitha masat në mjekimin intenziv, fatkeqësisht nuk u arrit të shpëtohet jeta e 20 vjecares Bellcovska. Por familja e saj, përkundër dhimbjes së madhe, morën guximin dhe u pajtuan që t`ia dhurojnë organet. Pas selektimit ishte gjetur kandidati për transplantim, e ai është 22 vjecari Ile Strezovski që vuante nga sëmundje e rëndë e zemrës”.

Sot edhe veshkët e 20-vjeçares ishin transplantuar tek dy pacientë të cilët me vite të tëra janë në dializë. Do të shpëtohen edhe dhjetëra persona të tjerë me karcinomë, kockat e të cilëve do të zëvendësohen me të shëndosha të 20-vjeçares së ndjerë.

Është ky transplantimi i dytë me sukses i zemrës nga një donator i ndjerë në vend. Në Maj të vitit të kaluar, zemra e 43-vjeçares Emilija Dinova, e cila gjithashtu kishte ndërruar jetë gjatë një aksidenti të trafikut, vazhdoi të rrahë në trupin e Ivan Ognenovskit.

Klan Macedonia







Të ngjashme