Fejzi Kodra, ky që shihni në këtë foto bashkë me gruan Marjeta, bashkëpronari i “Vollgës”, ka reaguar përmes një deklarate, në lidhje me dhurimin e një pjese të hotelit, Emiljano Shullazit.

Ata mohojnë të kenë patur dijeni për kontratën mes Shullazit dhe kompanisë Saudi Brothers.

“Nuk kemi pasur dijeni për veprimet e mëpashme të kompanisë “Saudi Brothers”, përfshirë aktin e dhurimit për të cilin mësuam vetëm në këto ditë, nëpërmjet mediave. Siç duket në dokumentat hipotekore, kjo kompani i ka dhuruar në një kohë më të vonë, pjesën e saj të pasurisë, me sip 749 m katror, një personi të tretë, të cilin as e njohim dhe as e kemi takuar ndonjëherë”.

Familja Kodra sqaron se e ka firmosur kontratën e blerjes së 1749 m katror, tek ish – hotel “Vollga” në Durrës, më 13 Nëntor të vitit 2014.

“Për financimin tim kontribuoi një miku im i afërt, biznesmeni Luan Leka, me të cilin kishim një projekt  investimi, mbi bazën e një kontrate legale noteriale. Mbas këtij transaksioni, siç duket edhe nga dokumenti hipotekor i dt 17/11/2014, në pronësinë time kaloi 70% e sipërfaqes dhe “Saudi Brothers” mbetej pronar i 30% të sipërfaqes në pjesë të pandara”.

Familja Kodra e konsideron veten palë të dëmtuar në këtë proces dhe paralajmëron se po përgatit procedurën gjyqësore ndaj kompanisë “Saudi Brothers”, në lidhje me dëmin ekonomik që i është shkaktuar.

Tv Klan