Veliaj: Kemi riparuar shtëpitë e dëmtuara nga tërmeti i Shtatorit

Të gjitha shtëpitë e dëmtuara nga tërmeti i Shtatorit në kryeqytet tashme janë rikonstruktuar apo rindërtuar nga e para. Kjo u bë e ditur nga kryebashkiaku Veliaj teksa i dorëzoi çelësat e shtëpisë familjes Rrushi ne Zallher.

Për më pak se 10 muaj mbyllëm të gjitha shtëpitë e shtatorit. Na dhëntë Zoti kohë të mirë, vullnet, zemër të madhe, që gjatë gjithë verës të punojmë non-stop. Kur qytetarët të ikin me pushime, të rikuperojmë edhe një pjesë të madhe të shtëpive të nëntorit dhe sa më shumë familje të futen në banesë para datës 26 nëntor. Më pas do fillojmë me pallatet, që sigurisht do marrin pak më shumë kohë”.

Kryebashkiaku bëri me dije se tashmë po punohet për rikuperimin e banesave që u dëmtuan nga tërmeti i nëntorit. 3000 familjet kanë gati pagesat dhe po ashtu 200 shtëpi që do të rindërtohen.

“Dua të ftoj qytetarët që u ka dalë emri në listë, të paraqiten tek njësitë administrative ose në postë për të tërhequr çekun. Besoj se do vijojmë me këtë ritëm nga 3000 e nga 3000, deri sa të kemi mbi 10 mijë familje që do marrin pagesën cash për apartamentet dhe shtëpitë e dëmtuara në Tiranë. Janë mbi 800 shtëpi, ku çdo javë, nga 200 e 200, do lidhim kontratat me kompanitë për rindërtimin e tyre”.

Veliaj falenderoi të gjithë ata që u solidarizuan dhe adoptuan nga një shtëpi, teksa shteti përgatitet për banesat e tjera që do të rindërtohen së shpejti.

Tv Klan