Përtej vështirësive e sfidave, gratë shqiptare në Mal të Zi kanë vendosur që çdo ditë, nga pak, pa ndalur, të kontribuojnë që identiteti të ruhet. Në një aktivitet të veçantë për 8 Marsin, të ndjekur nga afër nga rubrika “Ka  Një Mesazh Për Ty” në programin “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, ato rrëfejnë historitë e tyre.

Ambasadorja e Shqipërisë në Mal të Zi, Zhaklina Peto, e prezanton Ardit Gjebrean me këto gra luftarake që armën më të mirë kanë talentin e mendjen e tyre. Kaltrina është piktorja sa rebele, aq edhe intelektuale që refuzon t’i dorëzohet harresës. Familja e saj sakrifikoi për të ruajtur gjuhën dhe pas 32 vitesh në SHBA, ajo u kthye te rrënjët e veta në Hot.

Ardit Gjebrea: Çfarë ju lidh juve me Hotin? Mos kujtoni që nuk kam informacion!

Kaltrina: Hoti është vendlindja ime. Është një ndër ngjyrat e shpirtit tim.

Ardit Gjebrea: Unë di një detaj që është shumë i rëndësishëm: për të ruajtur gjuhën, familja juaj u shpërngul në Kosovë për të vijuar në momentet e vështira që po kalonin shqiptarët.

Kaltrina: Po. Pikërisht unë nuk e kam ditur gjuhën shqipe kur kam shkuar në klasë të parë. Ia kam borxh Kosovës mundësinë për të ruajtur gjuhën. Më vonë, kur erdhi ajo era e jetës që na detyroi të shkojmë edhe më larg, shkuam në Nju-Jork dhe aty ishte një periudhë e gjatë e jetesës sime, 32 vite dhe dikur e kuptova që të gjitha ato që jam duke i kërkuar, ishin në Hot, nuk janë në Nju-Jork. Të gjithë çuditen dhe shpesh më pyesin, si mundesh..

Ardit Gjebrea: Pas 32 vitesh.

Kaltrina: Por unë nuk pajtohem shumë me atë pyetje të them të drejtën se ne kur kemi shkuar nuk e kemi ditur kulturën e atij populli ku po shkojmë, nuk e kemi ditur sesi të marrim një njeri dhe ta hedhim midis malit dhe kemi arritur. Para se të kthehesha, isha autore e tre librave në gjuhën angleze, u bëra piktore e njohur në atë zonë, bëra ekspozita dhe kur e pashë që dyert po hapeshin atje, atëherë thashë çfarë dua në realitet? A të rri, nuk do të them që do të isha më e mira në botë se në art nuk ekziston fjala  më i miri, më e mira se të kisha ndenjur atje unë atje, do të isha artiste.

Ardit Gjebrea: Po të kishe ndenjur, si do të takoheshim ne?

Kaltrina: Hë pra! Kjo galeri që është hapur në Hot ka një rëndësi tepër të madhe sepse unë në Hot gjeta njeriun pa zemër duke vdekur. Njeriu është njeriu, ka zemër,  vdes lehtë, por njeriu që s’ka zemër është duke vdekur, ajo ishte shumë e vështirë.

Ardit Gjebrea: Pse?

Kaltrina: Sepse aty e pashë  asimilimin e vazhdueshëm modern dhe për të mos hyrë shumë thellë në politikë, ky popull që ka mbetur në Hot që i takon Plavës, ishte i injoruar nga të gjithë, së pari nga njeriu vetë e të tjerat. Aq më bënte një dhimbje të madhe që në 6 vitet e fundit, asgjë tjetër s’mund të shpreh në pëlhurë përpos dhimbjes që shoh në ballin e tyre rrugës, në pëshpëritjen e njerëzve kur flasin shqip fshehtas./tvklan.al