“Tani nuk ka mbetur asgjë, vetëm çadrën kam”

Kjo është shtëpia e familjes Zgura në Pezë, një nga fshatrat më të dëmtuara në Tiranë. Kjo familje ka 5 anëtarë, Pranvera, bashkëshorti i saj dhe 3 fëmijët.

Tërmeti i 26 Nëntorit i ka gjetur si gjithë të tjerët, në gjumë.

“Edhe tani kur i kujtoj ato momente më rrëqethet mishi. Nuk më hiqet nga mendja, thamë se na zuri shtëpia përfund”.

Natën e parë e kanë kaluar jashtë tek shkallët, të mbështjellë me batanije. Pas pak orësh i kanë sjellë ndihma me ushqime dhe këtë çadër të madhe që i mbron nga shiu, por jo nga lagështia.

“Çadra poshtë është ujë. Vajza qëkur jemi futur në çadër, kollitet jashtë mase. Është shumë katastrofë, kur më shkon mendja, mendoj për fëmijët… shumë e stresuar”.

Çfarë mendon?

“Do më sëmuren, ku t’i çoj, ça t’i jap. Nuk e di. Mami, thotë, ku do rrimë ne? Ku do hamë ne? Ku do lahem unë, sepse vajza ime më së shumti një herë në dy net, lahej në govatë. Banjën për shembull e kemi pasur jashtë, na u shemb, s’ka ku të lahet, ku do lahet goca. Fëmijët, unë, burri, nuk kemi ku të lahemi. Se ku do rrinë fëmijët e mi tani, nuk e di. Rrihet aty në çadër? Aty nuk rrihet”.

Frika për të ardhmen i shtrëngon zemrën, por as të tashmes s’i beson. Një kambanë e varur në çadër është sinjali që lajmëron nëse bie një tërmet, edhe pse tashmë jetojnë në oborr.

“Nata është shumë e gjatë. Gjithë natën shoh orën kur po gdhin, sepse o Zot, katastrofa e zezë. Them ishalla nuk erret që të lëvizim ditën të paktën”.   

Pranvera ka 20 vjet nuse në këtë shtëpi, e cila është ndërtuar 50 vite më parë. Bashkëshoqëruese të pandashme të jetës së saj ka pasur varfërinë, sëmundjet e fëmijëve dhe operacionet e bashkëshortit. Nuk ka pasur kurrë një punë, as ujë në shtëpi. E mbush me krahë, 20 minuta larg. Por kur të ndodh më e keqja, çdo vuajtje e mëparshme të duket më e lehtë.

“Ne ishim mirë, punoja për fëmijët, shkoja në pyll, bëja dru për të rregulluar fëmijët. Shtëpinë nuk e bëj dot tani, s’kam me çfarë ta bëj. Vetëm fëmijët kam tani, asgjë tjetër nuk kam, asgjë nuk kam tani”.

Njerëzit e afërm i ofrohen për ta strehuar, por ajo nuk do t’i shqetësojë.

“Vetëm një motër kam. Ajo më ndihmon shumë. Më lutet çdo ditë, çdo natë, hajde! I vjen shumë keq për mua, për fëmijët. Edhe kunati këtu që kam afër më ka thënë, shumë herë”.

Po përse nuk shkon?

“Nuk shkoj dot, sepse ka edhe ai familjen e tij, ngushtë është për të fjetur, nuk shkoj dot, sepse nuk është një ditë, është një jetë e tërë. Nuk iki dot, fëmijët, një nuk më vjen djali, do rrijë në shtëpinë time thotë, qan çuni”.

Të gjitha të ardhurat e familjes janë 40 mijë lekë rroga, lopa,10 krerë bagëti e disa pula.

Ardit Gjebrea jep në studio edhe lajmin e mirë për këtë familje. Sulejman Çela nga New York ka vendosur të kontribuojë me një shumë prej 10 mijë dollarësh, për ti ndërtuar shtëpinë. Vajza e tyre 13- vjeçare, së bashku me një shoqe kanë ngritur një llogari për çeljen e disa fondeve dhe deri tani janë grumbulluar rreth 9 mijë dollarë, por ata do ti bëjnë 10 mijë dollarë. /tvklan.al