Familja Zogu ka hapur dyert e mortit. Arben Zogu, 46 vjeç dhe dy djemtë e tij Rubens Zogu 19 vjeç dhe Esti Zogu 14 vjeç bashkë me kushëririn e tyre, Melis Zogu, 20 vjeç u mbytën të premten në liqenin e Banjës. Klan News ishte pranë shtëpisë së tyre, në fshatin Cingar i Poshtëm. Gazetari Besar Bajraktaraj raporton se të afërm dhe miq kanë shkuar atje për ngushëllim. Nga disa dëshmi që ka marrë ai, banorët kanë thënë se në liqen ka pasur rreth 10 raste të tilla, prandaj kanë bërë apel edhe ndaj strukturave shtetërore.



“Kemi biseduar me disa të afërm të familjes zogu të cilët janë banorë në fshatin Cingar i Poshtëm. Gjatë ditës së sotme kanë hapur dyert e mortit për të pritur të afërmit dhe miqtë e tyre për ngushëllime. Banesa ndodhet në këtë zonë. Prej orëve të para të mëngjesit ka mjaft njerëz që kanë mbërritur për të ngushëlluar për ngjarjen e rëndë të humbjes së jetës së babait, dy fëmijëve të tij dhe kushëririt të tyre 20 vjeçar pasi të gjithë janë banues në zonë. Ata në komunikime të pakta që kemi patur shprehen se kjo është ngjarje mjaft e rëndë dhe duhet të evitohet nga banorë të tjerë që nuk duhet të shkojnë në këtë pjesë në liqenin e Hidrocentralit të Banjës për t’u larë pasi është e rrezikshme. Sipas banorëve të zonës, që prej ndërtimit të HEC-it të Banjës ka pasur rreth 10 raste të tilla, pra kanë humbur jetën rreth 10 persona dhe apelojnë strukturat shtetërore që të kryejnë kontrolle herë pas here, ose të vendosin pengesa që qytetarët të mos hyjnë në zona të tilla”, raportoi Bajraktaraj.

Gjatë ditës së sotme është planifikuar përcjellja për në banesën e fundit të 4 viktimave.

“Ata u dërguan fillimisht në morgun e spitalit për t’ju nënshtruar një ekspertize. Pasi t’u bëhet autopsia do të vijnë pranë familjes dhe rreth orës 17: 00 do të bëhet përcjellja e tyre në banesën e fundit”, raportoi Bajraktaraj.

Katër viktimat dyshohet se kanë mbytur njëri-tjetrin pasi nuk dinin not.

Fotot | Viktimat e tragjedisë në liqenin e Banjës në Gramsh

Gazetari i Klan News, Besar Bajraktaraj, ka siguruar fotot e 4 viktimave që humbën jetën ditën e djeshme në liqenin e hidrocentralit të Banjës.

Arben Zogu, 46 vjeç, dy djemtë e tij, Rubens Zogu 19 vjeç dhe Esti Zogu 14 vjeç, si dhe kushëriri e tyre Melis Zogu, 20 vjeç u futën në ujë për t’u larë, por nuk arritën të dilnin dot.

“U mbyll dera e një familje, tjetri një çun pati…


Tragjedia në liqenin e Banjës ku humbën jetën babai me dy djemtë dhe kushëriri i tyre ka tronditur banorët në fshatin Cingar aty ku banonin viktimat. Një prej tyre është shprehur se me këtë ngjarje është mbyllur dera e një familjeje.

“Ngjarje e rëndë shumë është. Krim është. U mbyll dera e një familjeje, tjetri një çun pati. Merreshin me bujqësi”, u shpreh banori.

Një tjetër tha se liqeni nuk është për t’u larë. Ai kërkoi nga shteti që të bëjë kufizime që të mos ndodhin raste të tjera. Sipas këtij banori, kjo nuk është hera e parë që tragjedi të tilla ndodhin në liqen.

“Jam shokuar kur e kam dëgjuar dhe e njoh mirë kush është. Banja për t’u larë nuk është. Shteti të bëjë kufizime, asgjë më tepër. Të paktën mos të ndodhin gjëra të tjera më sepse kanë ndodhur shumë në këtë pjesë liqeni”, tha një banor.

Tragjedia, Klan News në liqenin e Banjës


Tragjedia që ndodhi të premten në liqenin e Banjës ku u mbytën babai me dy djemtë dhe kushëririn e tyre ka tronditur opinionin. Tashmë aty ku u zbulua që kishin qëndruar katër viktimat nuk ka mbetur më asgjë. Siç raportoi gazetari Besar Bajraktaraj, policia ka marrë edhe dy motorët që përdorën ata për të udhëtuar drejt vendit tragjik. 

“Gjatë gjithë natës, deri pak momente më parë në këtë vend, ishin të vendosur edhe motorët ku udhëtuan dhe erdhën viktimat. Gjatë gjithë natës ka patur shërbime policie që i kanë marrë tashmë në cilësinë e provës materiale për t’ia bashkangjitur dosjes së kësaj ngjarje mjaft të rëndë”, raportoi gazetari Bajraktaraj.

Trupat e pajetë të Arben Zogut, rreth 46 vjeç, dy djemve të tij, Rubens Zogu 19 vjeç dhe Esti Zogu 14 vjeç, si dhe kushëririt të tyre Melis Zogu, 20 vjeç, u nxorrën pas 90 minutash kërkime nga polumbarët. Ata u gjetën pranë njëri-tjetrit. Sipas policisë, ky është edhe shkaku i tragjedisë. I pari që ka qenë duke u mbytur ka tërhequr edhe të tjerët, të cilët janë munduar ta shpëtojnë. Por fatkeqësisht asnjëri nuk doli i gjallë.

“Në këtë vend që ndodhet edhe rruga e vjetër e përdorur më herët nga banorët e fshatit ndodhen gropa të madhe, që sipas policisë janë gjetur trupat e pajetë. Ata janë gjetur në një distancë jo shumë të largët me njëri-tjetrin. Prandaj shkak për këtë ngjarja ka qenë mbytja e njëri-tjetrit. Fillimisht ka qenë një prej këtyre personave. Më pas të tjerët që kanë hyrë për t’i nxjerrë, por fatkeqësisht nuk ka dalë asnjë prej tyre. Është përdorur nga banorët e fshatit, herë pas here, për t’u larë. Pas ndërtimit të HEC-it nuk ka pasur një frekuentim të madh për shkak të rrezikshmërisë. Ka pasur raste të tjera në këtë zonë që ka pasur ngjarje të tilla të rënda. Rruga për të mbërritur këtu nuk është shumë e mirë. Ka një rrugë të improvizuar për lëvizjen në këmbë ose me motor”, raportoi gazetari Bajraktaraj.

Referuar grupit hetimor që kanë marrë dëshmi të familjarëve dhe personave të tjerë, për të pasur më të qartë dinamikën, mësohet se babai me dy djemtë dhe kushëriri i tyre shkuan rreth orës 15:00 të ditës së djeshme për t’u larë në liqen. Pasi shkuan në vendin që kishin rënë dakord lanë motorët, shapkat dhe këto cigare.

Familjarëve u thanë se do të qëndrojnë për një orë. Rreth orës 17:00, ata janë alarmuar. Pastaj rreth orës 19:00 të afërmit kanë njoftuar policinë pasi kanë evidentuar, motorët, celularët dhe rrobat e trupit të tyre në këtë zonë.

Sipas banorëve të zonës, aty ekzistojnë disa gropa që janë marrë nga eskavatorët gjatë ndërtimit të HEC./tvklan.al