Mjeku Edison Skëndo në Berat është arrestuar nga policia me urdhër të prokurorit për një incident të ndodhur gjatë ditës së sotme.

Familjarët e mjekut kanë denoncuar në tvklan.al në rubrikën “Kallëzo”, se Edison Skëndo u ndalua nga policia sapo doli nga pallati ku banon. Ata pretendojnë se u dhunua nga drejtori i Policisë së Beratit, Hasan Ahmeti. Sipas pretendimit të tyre, gjithçka nisi për autorizimin që mjeku Edison Skëndo duhet të kishte për të dalë nga banesa.

Familjarët sqarojnë se Skëndo është mjek në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza. Ai shoqërohej nga kushëriri i tij farmacist dhe të dy kishin dalë për të shkuar në punë, kur u përballën me kreun e Policisë së Beratit.

Gjithnjë sipas familjarëve, Ahmeti nuk ishte i veshur me uniformë dhe po kalonte rastësisht në rrugë kur u përball me mjekun, të cilin e pyeti se për ku ishte nisur dhe nëse kishte me vete autorizim për të dalë.

Por pas debateve verbale, mes mjekut Skëndo dhe drejtorit të Policisë së Beratit, Hasan Ahmeti, pati kontakt fizik.

Tvklan.al ka siguruar videon e ngjarjes në fjalë, ku duken disa momente të incidentit. Në pamjet e publikuara, duket se si drejtori tërheq nga bluza mjekun Skëndo.

Nga ana tjetër, tvklan.al u interesua pranë organeve kompente për këtë incident dhe mësoi se mjeku Edison Skëndo është tashmë i arrestuar me urdhër të prokurorit. Sipas policisë, incidenti u provokua nga mjeku Skëndo. Burimet policore thonë se ishte mjeku ai që qëlloi i pari me shkelm drejtorin e policisë pasi nuk dispononte autorizim për të dalë.

Ndërsa nga pala tjetër, pra familjarët e mjekut, pretendojnë se Skëndo u dhunua pa asnjë motiv nga drejtori i Policisë së Beratit. /tvklan.al